
Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar zyrtarisht se po zhvillojnë operacione kërkim-shpëtimi për dy pilotë amerikanë të zhdukur në territorin e Iranit, pas rrëzimit të një avioni luftarak F-15.
Ky është reagimi i parë zyrtar nga SHBA, pas raportimeve të mëhershme nga mediat iraniane, të cilat pretendonin se një avion ushtarak amerikan ishte rrëzuar në perëndim të vendit dhe se pilotët rezultonin të zhdukur. Fillimisht, këto raportime nuk ishin konfirmuar nga burime të pavarura.
Sipas informacioneve të fundit, forcat amerikane kanë nisur operacione për gjetjen e pilotëve në zonat ku dyshohet se janë rrëzuar, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar.
Më herët, mediat iraniane raportuan për përplasje mes forcave amerikane dhe atyre iraniane, si dhe për përfshirjen e operacioneve ajrore në kërkim të pilotëve. Televizioni shtetëror iranian madje njoftoi edhe një shpërblim për këdo që ndihmon në gjetjen e tyre.
(A2 Televizion)