SHBA mund të tërhiqet nga disa mekanizma të NATO-s! Reuters: Europës i vendoset afat për të zbatuar porositë

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2025, 12:31 | Bota

SHBA mund të tërhiqet nga disa mekanizma të NATO-s! Reuters:

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të qartë aleatëve evropianë se duan që Europa të marrë përsipër shumicën e kapaciteteve të mbrojtjes konvencionale të NATO-s deri në vitin 2027, një afat i ngushtë, që disa kryeqytete europiane e konsiderojnë të parealizueshëm. Agjencia e lajmeve Reuters zbulon në një artikull ekskluziv, duke cituar 5 burime, se mesazhi u përcoll këtë javë gjatë një takimi në Uashington midis zyrtarëve të Pentagonit që mbulojnë politikën e NATO-s dhe disa delegacioneve europiane.

Sipas burimeve, përfshirë një zyrtar të SHBA-së, Uashingtoni ka sinjalizuar pakënaqësi me ritmin e përparimit të Europës në forcimin e kapaciteteve të saj të mbrojtjes që prej pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2022. Zyrtarët amerikanë paralajmëruan se, nëse Europa nuk arrin objektivat deri në vitin 2027, SHBA mund të tërhiqet nga disa mekanizma koordinimi brenda NATO-s.

Kapacitetet konvencionale të mbrojtjes përfshijnë çdo gjë, nga trupat tek armatimet, por sipas burimeve, SHBA-ja nuk ka specifikuar se si do ta vlerësojë përparimin e Europës. Po ashtu, nuk është e qartë nëse ky afat pasqyron një qëndrim zyrtar të administratës së Donald Trump-it apo thjesht pikëpamjet e një pjese të zyrtarëve të Pentagonit, përcjell A2 CNN. Edhe në Uashington ka ndarje mbi rolin që SHBA duhet të ketë në mbrojtjen e kontinentit europian. Ndërkohë, disa zyrtarë europianë e shohin objektivin e 2027-ës si jashtëzakonisht ambicioz, përtej mundësive aktuale të industrive të tyre ushtarake.

Problemet me kapacitetet prodhuese dhe afatet e gjata të dorëzimit të pajisjeve moderne ushtarake konsiderohen pengesa madhore. Disa nga sistemet më të kërkuara amerikane do të donin vite të tëra për t’u furnizuar, edhe nëse porositeshin sot.

Për më tepër, SHBA zotëron kapacitete të pazëvendësueshme në fushën e inteligjencës, survejimit dhe zbulimit, elementë kyç të mbështetjes për Ukrainën, të cilat nuk mund të blihen thjesht me fonde. Një zyrtar i NATO-s, duke folur për aleancën, tha se vendet europiane kanë nisur tashmë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit, por nuk komentoi për afatin 2027.

Vendet europiane janë pajtuar më së shumti me presionin e Trump-it që të investojnë më shumë në mbrojtje dhe kanë rritur ndjeshëm buxhetet ushtarake. Bashkimi Europian ka caktuar gjithashtu objektivin që Europa të jetë e aftë të mbrojë veten deri në vitin 2030, një synim që shumë analistë e cilësojnë po aq ambicioz.

Qasja e presidentit Trump ndaj NATO-s ka qenë e luhatshme. Gjatë fushatës së vitit 2024, ai kritikoi ashpër aleatët europianë dhe madje deklaroi se do të inkurajonte Rusinë të sulmonte vendet që nuk përmbushin detyrimet financiare ndaj aleancës. Megjithatë, në samitin e NATO-s në qershor, Trump lavdëroi liderët europianë për pranimin e një plani amerikan që rritte objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos