Debati për Reformën Territoriale mes politologut Afrim Krasniqi dhe deputetes së PS, Aulona Bylykbashi, u shoqërua me replika të forta në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.
Krasniqi kërkoi të dinte mbi çfarë analize dhe konsultimesh ishte bazuar propozimi për hartën e re territoriale, ndërsa Bylykbashi argumentoi se mazhoranca ishte mbështetur në një raport të punës së komisionit.
Përplasja u ashpërsua kur Krasniqi e akuzoi deputeten se po bënte “detyrën e partisë”, ndërsa Bylykbashi e kundërshtoi duke thënë se qytetarët e dëgjojnë dhe e kuptojnë.
Në vijim, Krasniqi kërkoi më shumë vetëpërmbajtje dhe respekt për ata që mendojnë ndryshe, ndërsa Bylykbashi deklaroi se respektin për mendimin ndryshe e ka, duke theksuar se nivelin e dijes nuk e përcakton bashkëbiseduesi.
DEBATI
Bylykbashi: Ne u nisëm nga një analizë se si performojnë bashkitë sot. Sa të afta janë ato për të qeverisur.
Krasniqi: Nga erdhi kjo analizë? Ka një dokument?
Bylykbashi: Sigurisht ka një raport të mazhorancës. Raporti i punës së komisionit.
Krasniqi: Kë ke konsultuar? Kam një orë që po mundohem të kuptoj se çfarë je duke thënë. Ajo që kuptoj është që thjesht je duke bërë detyrën e partisë.
Bylykbashi: Jo unë nuk bëj detyrën e partisë, por më dëgjojnë qytetarët dhe më kuptojnë.
Krasniqi: Mos na i shisni si suksese se na fyeni. E kuptoni që kemi bërë një jetë shkollë? Edhe të vijë dikush të tallet në mënyrë kaq barbare me konceptin e demokracisë. Duhet të keni një lloj vetpërmbajtje, të bëni detyrat e partisë, por të tregoni një lloj respekti për njerëzit që mendojnë ndryshe dhe që i dinë këto gjërat më mirë.
Bylykbashi: Nivelin që kush di më mirë nuk e përcaktoni ju. Që e respektoj mendimin ndryshe, patjetër që e respektoj.
(A2 Televizion)