Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po shpreson që Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë të palëkundura përballë kërkesës ruse, për të hequr sanksionet si kusht për armëpushimin në Detin e Zi.
Ai foli për një panel gazetarësh, gjatë një interviste televizive pas takimit me Presidentin Emmanuel Macron në Paris, shkruan A2.
Moska ka thënë se armëpushimi detar i njoftuar të martën e që synon të lejojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare do të hyjë në fuqi vetëm pasi të hiqen sanksionet e Perëndimit ndaj prodhimeve ushqimore dhe fertilizuesve të Rusisë. Sipas Zelenskyt, i cili gjendet në Francë për të marrë pjesë në një samit të rëndësishëm të mbrojtjes, Shtetet e Bashkuara, shumë shpesh janë nën ndikimin e narrativës ruse.
“Shumica e amerikanëve na kanë mbështetur gjithmonë dhe unë jam shumë mirënjohës për këtë. Megjithatë, sot besoj se SHBA është shumë shpesh nën ndikimin e narrativës ruse, diçka që ne nuk mund ta pranojmë por do të vazhdojmë të luftojmë për veten tonë dhe kundër kësaj narrative. Nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha Zelensky.
Shtëpia e Bardhë tha të martën se delegacionet ruse dhe ukrainase janë dakordësuar për një armëpushim në Detin e Zi, pas 3 ditësh bisedime të ndara me zyrtarë rusë në Arabinë Saudite. Por, disa orë më vonë, Kremlini publikoi deklaratën e vet, ku përfshinte një liste me kushte. Ai kërkon heqjen e sanksioneve perëndimore ndaj institucioneve financiare të përfshira në tregtinë bujqësore dhe rikthimin e qasjes në sistemin ndërkombëtar të pagesave, Swift.
Trump tha se qeveria amerikane do të shqyrtonte kërkesën e Moskës, por BE e bëri të qartë se nuk do të konsideronte heqjen e sanksioneve para largimit të pakushtëzuar të trupave ruse nga territori ukrainas. Gjatë intervistës televizive në Paris, Zelensky sfidoi pikëpamjen e të dërguarit amerikan Stiv Witkof i cili hodhi poshtë përpjekjet e Europës për të krijuar një koalicion vullnetarësh për të mbështetur Ukrainën.
Sipas tij, Ëitkof, i cili në të kaluarën është marrë me zhvillim pronash, nuk ka eksperiencën e duhur.
(A2 Televizion)