Për herë të parë në histori, bombarduesit strategjikë amerikanë B-1B janë vendosur në Japoninë verilindore si pjesë e një rotacioni të “Bomber Task Force”, një nismë që forcon praninë ushtarake të SHBA-së në rajonin Indo-Paqësor. Dy bombardues supersonikë të tipit B-1B nga skuadra e 9-të u nisën nga baza ajrore Dyess në Teksas dhe zbarkuan në bazën ajrore Misawa më 15 prill 2025, pas një misioni stërvitor të përbashkët me avionët luftarakë të Koresë së Jugut.
Ky është një tjetër veprim drejt “blindimit” të mëtejshëm të rajonit, pas vendosjes së gjashtë bombarduesve të padukshëm B-2 në ishullin Diego Garcia në Oqeanin Indian, shkruan A2 CNN.
Megjithëse avionët bombardues amerikanë janë parë më parë në Japoni, kjo është hera e parë që B-1B dislokohen atje në kuadër të një misioni zyrtar të Task Forcës së Bombarduesve. Më herët, në shkurt, disa B-1B ndaluan në Misawa për furnizim të shpejtë me karburant, një teknikë që rrit ndjeshëm aftësinë e reagimit dhe rifillimit të misioneve.
Koncepti i “Bomber Task Force”, i prezantuar nga Forcat Ajrore të SHBA-së në vitin 2018, synon zëvendësimin e dislokimeve të përhershme me rotacione më të shkurtra dhe më fleksibël, për të forcuar gatishmërinë, bashkëpunimin me aleatët dhe për të mbajtur një prani të paparashikueshme strategjike.
Vendosja në Misawa – një bazë që mbulon një sipërfaqe operacionale prej mbi 258 milionë kilometrash katrorë – i mundëson Forcave Ajrore të kapin në kohë rekord pika të nxehta si Gadishulli Korean, Deti i Kinës Jugore dhe Ngushtica e Tajvanit, shkruan A2 CNN. Bombarduesit B-1B janë gjithashtu të aftë për të transportuar raketa anti-anije AGM-158C LRASM, duke e rritur ndjeshëm potencialin e tyre në operacione detare në rast krizash në rajon. (A2 Televizion)