Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u takua të premten me Kryeministren italiane Giorgia Meloni. Në përfundim të takimit foli për mediat ku kërkoi nga aleatët, se pse nuk janë përfshirë Italinë, nuk po mbështesnin përpjekjet e Uashingtonit për t'u përballur me Iranin dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, shkruan A2CNN.
"Nuk e kuptoj pse dikush nuk do të ishte mbështetës", u tha Rubio gazetarëve, duke shtuar se vendet kishin nevojë për "diçka më shumë sesa thjesht deklarata të formuluara fort" nëse kundërshtonin veprimet e Iranit.
“Patëm një rast të papritur dhe disa vende në Evropë, si Spanja, si shembull, na mohuan përdorimin e atyre bazave për një rast shumë të rëndësishëm që në disa mënyra mohimi i këtyre bazave në fakt pengoi misionin, jo në total, por pati një kosto dhe në fakt madje krijoi disa rreziqe të panevojshme. Pra, nëse një nga arsyet kryesore pse SHBA-të janë në NATO është aftësia për të pasur forca të vendosura në Evropë, kjo mund të projektohet në rast të papriturash të tjera dhe tani kjo nuk është më rasti, të paktën kur bëhet fjalë për disa anëtarë të NATO-s - ky është një problem dhe duhet të shqyrtohet”, u shpreh Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio.
Rubio përfundoi një udhëtim dy-ditor që synonte të lehtësonte lidhjet me Papa Leon pas sulmeve ndaj Papës nga Presidenti Donald Trump, ndërsa po adresonte edhe zhgënjimin e Uashingtonit për refuzimin e Italisë për të mbështetur luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.
"Pyetja themelore që çdo vend, jo vetëm Italia... duhet t'i bëjë vetes është, a do ta normalizoni një vend që pretendon të kontrollojë një rrugë ujore ndërkombëtare? Sepse nëse e normalizoni këtë, keni vendosur një precedent që do të përsëritet në një duzinë vendesh të tjera", tha ai. Para se të takohej me Melonin, Rubio u takua me Ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, i cili tha se shpresonte që vizita të kishte ndihmuar në qetësimin e tensioneve me Shtetet e Bashkuara. Rubio përmendi edhe sulmet e fundit iraniane për të cilat u shpreh i bindur se do të përsëriten.
"Nëse qëlloni një anije të Marinës Amerikane, çfarë duhet të bëjmë, të themi "oh, ka një armëpushim, nuk do ta rrëzojmë dronin tuaj?" Kjo është një pyetje idiote. Ky është një qëndrim idiot për t'u mbajtur. Sigurisht, ne u kundërpërgjigjëm. Ata po qëllonin drejt nesh. Kjo është ajo që prisja të bënim. Vetëm vendet budallaqe nuk kundërpërgjigjen kur të qëllojnë, dhe ne nuk jemi një vend budalla", tha Sekretari Amerikan.
Përveç luftës në Gjirin Persik, Meloni dhe Rubio pritej gjithashtu të diskutonin luftën e Rusisë kundër Ukrainës, tarifat e SHBA-së për mallrat evropiane dhe perspektivën për Kubën, të cilën Uashingtoni po kërkon ta izolojë si diplomatikisht ashtu edhe ekonomikisht. (A2 Televizion)