Shkencëtarët i japin shpjegim gropave gjigante misterioze në veri të botës

Nga A2 CNN
17 Shtator 2025, 12:16 | Bota

Shkencëtarët i japin shpjegim gropave gjigante misterioze në veri

11 vite më parë, në Siberinë verilindore u zbulua krateri i parë gjigant, i shkaktuar nga një shpërthim i fuqishëm nën sipërfaqe. Që atëherë janë identifikuar 8 deri në 17 kraterë të ngjashëm, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për shkencëtarët.

Fillimisht, shkaku i këtyre shpërthimeve mbeti mister. Megjithatë, hulumtimet i lidhën ato me ngrohjen globale dhe shkrirjen shtresës së ngrirë të tokës. Shkrirja krijon xhepa me metan që, nën presion, mund të shpërthejnë. Por dilema ishte pse fenomeni shfaqej kryesisht në gadishujt Jamall dhe Gida të Siberisë, e jo në pjesë të tjera të Arktikut.

Shkencëtarët i japin shpjegim gropave gjigante misterioze në veri

Një studim i ri i publikuar në Science of the Total Environment, i udhëhequr nga Helge Hellevang, profesor në Universitetin e Oslos, jep përgjigje. Sipas modelimeve kompjuterike, në këto rajone përmafrost-i është më i dobësuar për shkak të çarjeve të krijuara nga aktiviteti tektonik, të cilat lejojnë gazin të ngjitet drejt sipërfaqes. Kur shkrirja e akullit formon liqene të cekëta, shtresa mbrojtëse dobësohet dhe presioni i metanit çon në shpërthime.

Shkencëtarët paralajmërojnë se me rritjen e temperaturave, numri i kraterëve mund të shtohet ndjeshëm. Kraterët shpesh shndërrohen në liqene, duke e bërë të vështirë studimin e tyre.

Shkencëtarët i japin shpjegim gropave gjigante misterioze në veri

Ekspertët besojnë se shpërthime të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën, por nuk janë dokumentuar për shkak të mungesës së vëzhgimeve në këtë zonë të thellë e të rrallë. Studiuesit theksojnë se fenomeni mbetet ende i nënvlerësuar dhe i panjohur në thellësi. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos