
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se është ende në fuqi armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit, pasi të dyja palët shkëmbyen zjarr vonë natën e së enjtes, ndërsa nuk ishte e qartë se kush qëlloi i pari.
Komanda më e lartë ushtarake e Iranit pretendoi se SHBA-ja kishte shënjestruar një tanker iranian nafte dhe një anije tjetër që po i afrohej Ngushticës së Hormuzit dhe kishin kryer "sulme ajrore" në disa zona bregdetare, shkruan A2 CNN.
Ushtria iraniane tha se forcat e Shteteve të Bashkuara shënjestruan një anije cisternë iraniane nafte në ujërat bregdetare dhe një anije të dytë pranë portit Fujairah të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa sulmet ajrore të SHBA-së goditën zona civile në Bandar Khamir, Sirik dhe ishullin Qeshm në Iranin jugor.
Ndërkohë, SHBA-ja tha se iu përgjigj sulmeve iraniane ndaj shkatërruesve me raketa të telekomanduara të Marinës Amerikane në Ngushticë me "sulme vetëmbrojtëse".
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) tha se forcat e saj detare u sulmuan me raketa, dronë dhe anije të shpejta iraniane në Ngushticën e Hormuzit dhe u përgjigjën duke eliminuar "kërcënimet hyrëse" dhe duke synuar "objektet ushtarake iraniane përgjegjëse për sulmin ndaj forcave amerikane", përcjell A2 CNN.
Presidenti amerikan përsëriti paralajmërimin në lidhje me marrëveshjen e paqes: "Ashtu siç i rrëzuam përsëri sot, do t'i rrëzojmë shumë më fort dhe shumë më dhunshëm në të ardhmen, nëse nuk e nënshkruajnë Marrëveshjen e tyre, shpejt!"
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe deklaroi se po përballen aktualisht me sulme me raketa dhe dronë nga Irani.
“Tinguj u dëgjuan në të gjithë vendin për shkak të "operacioneve të vazhdueshme angazhuese të raketave dhe UAV-ve. Publikut i bëhet thirrje të ruajë qetësinë dhe të ndjekë udhëzimet e sigurisë të lëshuara nga autoritetet përkatëse", tha ajo të premten në mëngjes në X.
Ky përshkallëzim i tensioneve vjen një ditë pasi ministria e jashtme e Iranit tha se po shqyrtonte një propozim të SHBA-së për t'i dhënë fund luftës.
Në një deklaratë në televizionin shtetëror Press TV zëvendëspresidenti i parë iranian Mohammad Reza Aref, tha se Irani së shpejti do të festojë një "fitore të madhe", shkruan A2 CNN.
"Së shpejti do të festojmë fitoren tonë dhe sanksionet e presionet që i janë imponuar kombit iranian gjatë viteve të fundit do të hiqen me fitoren e madhe të kombit iranian", tha ai.
Deklaratat e tij vijnë pasi të dyja palët shkëmbyen zjarr në Ngushticën e Hormuzit të enjten. Irani akuzoi SHBA-në për shkelje të armëpushimit dhe SHBA-ja tha se nuk kërkon përshkallëzim dhe se armëpushimi mbetet në fuqi.
(A2 Televizion)