
Shpërthime të shumta janë dëgjuar gjatë orëve të para të së shtunës në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, si edhe në disa rajone të tjera të vendit, duke shkaktuar panik, ndërprerje të energjisë elektrike dhe reagime të forta politike në rajon.
Qeveria venezuelase akuzoi drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara për atë që e cilësoi si “një agresion ushtarak jashtëzakonisht të rëndë”, duke pretenduar se janë goditur Karakasi dhe Miranda, Aragua dhe La Guaira. Në një deklaratë zyrtare, u bë e ditur se presidenti Nicolás Maduro ka firmosur shpalljen e gjendjes së emergjencës dhe ka urdhëruar aktivizimin e të gjitha planeve të mbrojtjes kombëtare.
“Të gjithë populli i Venezuelës dhe Forcat e Armatosura Kombëtare Bolivariane janë të dislokuara për të garantuar sovranitetin dhe paqen,” thuhet në deklaratë, ndërsa bëhet thirrje për mobilizim të forcave sociale dhe politike, shkruan A2 CNN.
Pamje të verifikuara nga CNN tregojnë tym dhe shpërthime në Karakas, pranë zonës së Fort Tiuna, ku ndodhet Ministria e Mbrojtjes. Një dëshmitar, 25-vjeçari Carlos, tha: “Dëgjova një avion shumë afër dhe pashë shpërthimet nga dritarja.”
Shpërthime dhe zjarre të mëdha janë raportuar edhe në qytetin bregdetar Higuerote, rreth 80 kilometra në lindje të Karakasit, pranë një aeroporti lokal.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, reagoi ashpër duke shkruar në rrjetin X: “Po bombardojnë Karakasin. OKB dhe OAS duhet të mblidhen menjëherë.”
Pentagoni dhe Komanda Jugore e SHBA i kanë referuar pyetjet për Shtëpinë e Bardhë, e cila ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar. Shkaku i saktë i shpërthimeve mbetet i paqartë. (A2 Televizion)