
Një dron rus ka goditur një tren pranë kufirit mes Ukrainës dhe Polonisë, pak pasi në të njëjtën linjë kishte kaluar ish-kryeministri britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë evropianë të sigurisë.
Sulmi ndodhi në Yahodyn dhe goditi lokomotivën e trenit. Sipas autoriteteve ukrainase, nuk pati viktima apo të plagosur, ndërsa të gjithë pasagjerët ishin evakuuar.
Johnson, së bashku me këshilltarë të sigurisë kombëtare nga disa vende evropiane, mes tyre edhe britaniku Jonathan Powell, kishin kaluar më herët në të njëjtën linjë me një tren tjetër, teksa po ktheheshin nga një konferencë në Kiev.
Rusia deklaroi se kishte goditur “infrastrukturën hekurudhore” në Ukrainën perëndimore. Megjithatë, kompania shtetërore ukrainase e hekurudhave, Ukrzaliznytsia, tha se “ka shumë të ngjarë” që objektivi i dronit të ketë qenë treni diplomatik.
Në momentin e sulmit, në stacionin e Yahodyn ndodhej edhe ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, i cili udhëtonte me një tjetër tren. Ai e cilësoi incidentin si “terrorizues”, duke akuzuar udhëheqjen ruse se po përpiqet të terrorizojë civilët ukrainas.
Ukrzaliznytsia bëri të ditur se treni diplomatik ishte larguar nga stacioni më herët se parashikohej, për shkak të ndryshimit të orarit dhe “kërcënimeve të vazhdueshme për sulme ruse”.
Kompania shtoi se urdhri për evakuimin e pasagjerëve të trenit të goditur ishte dhënë vetëm 15 minuta përpara sulmit nga një dron rus me motor reaktiv.
(A2 Televizion)