Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i 9 shtatorit në Athinë, ku u arrestua Lulzim Caka, pas një hetimi të gjatë të autoriteteve amerikane dhe greke. Sipas burimeve nga policia shqiptare, DEA kishte gjurmuar një rrjet të trafikut të kokainës nga Kolumbia drejt Greqisë, ku droga fshihej brenda kërcenjve plastikë të ngarkesave me trëndafila, ndërsa në operacion u sekuestruan 84 kilogramë kokainë.
Janë zbardhur detaje të reja nga hetimet se si u arrestua në Greqi, Lulzim Caka. Burime nga policia shqiptare bëjnë me dije se ai mbahej nën vëzhgim pre kohësh nga DEA amerikane. Në 9 shtator u organizua operacioni ku u vendos në kurth në Athinë.
DEA kishte zbuluar një skemë trafiku kokaine nga Kolumbia drejt Greqisë, ku lënda narkotike fshihej brenda ngarkesave me trëndafila. Lëvizja monitorohej deri në dorëzimin në destinacion me qëllim që të kapnin pjesëtarët e grupit.
Koka e lules ishte e vërtetë, por kërcejtë ishin plastikë dhe brenda tyre ishte fshehur kokaina. 84 kilogramë kokainë u kapën në operacion ndërsa po verifikohen lëvizjet që kishte bërë kompania.
Në vilën ku jetonte Caka u arrestua bashkë me të birin. Gjatë kontrollit, u gjetën 28 kilogramë kokainë të tjerë në një objekt në ndërtim pranë vilës. Droga ishte fshehur në një hapësirë nëntokësore dhe në një depozitë uji, ndërsa ishte paketuar në pllaka, gati për shpërndarje.
Emri i Lulzim Cakës doli fillimisht nga mediat shqiptare. Ai është një nga figurat më të njohura të krimit në zonën Berat-Fier-Lushnjë gjatë viteve 1995-2000. (A2 Televizion)