Rusia kërcënoi Ukrainën me "luftë të përjetshme" gjatë bisedimeve të drejtpërdrejta për paqe në Stamboll sot. Kështu ka deklaruar për Sky Neës një burim nga radhët e delegacionit të Kievit që mori pjesë në bisedimet e paqes që zgjatën dy orë.
Burimi tha për median britanike se rusët nuk ishin të gatshëm të flisnin për detajet teknike të një armëpushimi dhe po prisnin që eprorët t'i miratonin ato.
Pasi Rustem Umerov foli me gazetarët në Stamboll, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi, mori përsipër pyetjet.
Ai përsëriti se, gjatë bisedimeve sot, delegacioni rus "shprehu një numër kërkesash që ne i konsiderojmë të papranueshme".
"Ne kemi një përvojë të gjatë në të gjitha llojet e bisedimeve me rusët. Më besoni, që nga viti 2014, ka pasur shumë raunde", thotë ai, duke iu referuar bisedimeve midis Kievit dhe Moskës pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
"Pra, do të thoja se delegacioni ukrainas di si t'i trajtojë të gjitha gjërat që mund të shprehen nga ajo anë”, nënvizoi Tykhyi.
Tykhyi deklaroi se delegacioni ukrainas kishte një "axhendë të qartë" për të siguruar një armëpushim në bisedime.
"Kjo është logjike sepse nëse doni të keni negociata serioze, duhet të hidhni tutje armët", tha ai.
Sakaq, ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov tha se "prioriteti i parë i ekipit ishin njerëzit" në Stamboll sot, prandaj u bë marrëveshja për të shkëmbyer 1,000 të burgosur lufte secili.
"Objektivi i dytë ishte të diskutohej armëpushimi", shtoi ai, duke thënë se të dy ekipet "do të punojnë për shkëmbimin e detajeve".
Umerov thotë se hapi tjetër do të jetë një takim midis Ukrainës dhe Rusisë në "nivel udhëheqësish". "Ne edhe një herë dëshirojmë të përsërisim se Ukraina dëshiron paqe. Ukraina është e përqendruar te njerëzit dhe ne jemi të aftë të vazhdojmë luftën. Por në fund të ditës, ne duhet ta përfundojmë këtë luftë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Presidenti francez Emmanuel Macron tha nga Tirana se Rusia ka treguar se "thjesht po përpiqet të blejë kohë" duke vazhduar luftën me Ukrainën.
Presidenti francez përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, teksa ndodhej ende në Shqipëria, tha se duke refuzuar marrëveshjen e armëpushimit, Rusia ka treguar se nuk dëshiron paqe.
Ai shtoi se "koalicioni i të vullnetshmëve (një grup prej 31 vendesh që janë zotuar të mbështesin Ukrainën kundër Rusisë) do të përcaktojë një përgjigje të bashkuar".
Pas dështimit të takimit në Stamboll, Papa Leoni XIV ka ofruar Vatikanin si vend për bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë.
Sekretari i shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin e përshkroi rezultatin e bisedimeve në Turqi si "tragjik".
"Është e gjitha tragjike sepse shpresonim që një proces do të niste, ndoshta ngadalë, por me një zgjidhje paqësore të konfliktit. Në vend të kësaj, jemi kthyer në pikën fillestare”, tha ai në një aktivitet të organizuar nga Kisha Katolike Greko-Ukrainase në Romë.
“Nëse është e nevojshme, Papa do t’i sigurojë Vatikanin, Selinë e Shenjtë, për një takim të drejtpërdrejtë midis dy palëve”, shtoi ai. (A2 Televizion)