
BE-ja dëshiron ta ndërpresë importimin e gazit nga Rusia deri në fund të vitit 2027. Sllovakia është kundër dhe bashkë me Hungarinë synojnë të ngrenë padi në Gjykatën Evropiane.
Pas Hungarisë, edhe Sllovakia synon tani të ngrejë padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED) në Luksemburg kundër ndalimit të importit të gazit natyror nga Rusia, për të cilën ka vendosur BE-ja. Kryeministri Robert Fico njoftoi se Sllovakia do të ngrejë padi për faktin se vendimi u miratua me shumicë të kualifikuar. Sllovakia dhe Hungaria "humbën" gjatë votimit të djeshëm. 24 nga 27 shtetet anëtare të BE-së votuan në favor të ndalimit të importit të gazit nga Rusia, ndërsa Bullgaria abstenoi.
Marrja e këtij vendimi ishte strukturuar në mënyrë të tillë që nuk kërkohej unanimitet votash. "Ne do ta kundërshtojmë shkeljen e parimeve të subsidiaritetit dhe proporcionalitetit", deklaroi Fico. Sllovakia do të koordinojë qëndrimin e saj me Hungarinë. Fico nuk tha se kur do të ngrejë Sllovakia padinë e saj.
Orbani e konsideron ndalimin e importit si sanksion
Kurse kryeministri hungarez, Viktor Orban, deklaroi se ndalimi i importit të importit të gazit natyror nga Rusia, ndryshe nga si e paraqet Komisioni i BE-së, në realitet nuk është formalisht masë e politikës tregtare, por sanksion. Për sanksionet nevojitet unanimitet votash, gjë që Hungaria dhe Sllovakia mund ta kishin parandaluar.
Sipas Ministres sllovake të Ekonomisë, Denisa Sakova, deri në dhjetor 2025 Sllovakia e kishte ulur në 33 përqind sasinë e gazit që importon nga Rusia. Deri vetëm pak vite më parë, Sllovakia e importonte thuajse gjithë gazin e saj nga Rusia. Sllovakia nuk dëshiron ta heqë dorë plotësisht prej gazit rus, pjesërisht sepse, si vend pa dalje në det, nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG).
Përveç degëve të ndryshme të industrisë që kërkojnë shumë energji, në Sllovaki edhe familjet janë shumë të varura nga gazi për ngrohje. BE-ja dëshiron t'i japë fund marrëveshjeve të gazit me ish-furnizuesin e saj kryesor dhe ta privojë Rusinë nga një burim i rëndësishëm të ardhurash për të financuar luftën kundër Ukrainës. Ligji përcakton që importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) rus duhet të ndalen deri në fund të vitit 2026 dhe furnizimet me gaz përmes tubacioneve deri në fund të vitit 2027./DW (A2 Televizion)