“U ndaloi hyrjen në Shtëpinë e Bardhë”, tri media amerikane ngrenë padi kundër presidentit Trump

Nga A2 CNN
21 Shtator 2026, 18:25 | Bota

Tre media amerikane, CNN, Politico dhe MS NOW, njoftojnë se do të ndërmarrin veprime ligjore ndaj administratës Trump, pasi gazetarëve të tyre iu mohua hyrja në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Donald Trump njoftoi të premten ndalimin e këtyre organizatave mediatike, duke i akuzuar se publikojnë “trillime ose gënjeshtra” për administratën e tij. Të shtunën, reporterët e tre mediave thanë se iu refuzua hyrja në ndërtesë.

Në një deklaratë të përbashkët të hënën, CNN, Politico dhe MS NOW thanë se do t’u drejtohen gjykatave për të mbrojtur të drejtat e garantuara nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane dhe parimin se qeveria nuk duhet të vendosë se çfarë raporton shtypi.

Trump, përmes Truth Social, hodhi poshtë akuzat për sulm ndaj lirisë së medias, duke thënë se synimi i tij është ajo që ai e quan “FAKE NEWS”.

Amendamenti i Parë mbron lirinë e shtypit dhe gjykatat amerikane tradicionalisht e kanë interpretuar këtë mbrojtje si ndalim të diskriminimit të mediave nga qeveria për shkak të përmbajtjes së raportimeve të tyre.

Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar zyrtarisht mbi veprimet ligjore të paralajmëruara.

 

 

 

 

 

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos