“Të gjithë asimptomatikë”, evakuohen pasagjerët e anijes me hantavirus në Tenerife

Nga Xhevahir Qardaku
10 Maj 2026, 12:02 | Bota

Pas mbërritjes në Tenerife, nisi dhe evakuimi nga “anija e ferrit”. Pasagjerët, me maska dhe mjete të tjera mbrojtëse, po largohen nga MV Hondius e prekur nga hantavirusi. Ministrja spanjolle e shëndetësisë Mónica García qetësoi popullatën duke konfirmuar edhe njëherë se nuk do të ketë rrezik për banorët lokalë, shkruan A2 CNN.

“Të gjithë pasagjerët mbeten asimptomatikë. I gjithë operacioni po vazhdon normalisht dhe thashë se të parët që do të zbresin do të jenë qytetarët spanjollë, dhe më pas do të niset fluturimi për në Holandë, i cili do të marrë qytetarë nga Gjermania, Belgjika, Greqia dhe një pjesë të ekuipazhit”, tha Monica Garcia, Ministre e Shëndetësisë në Spanjë.

“Të gjithë asimptomatikë”, evakuohen pasagjerët

Fluturimi i fundit i evakuimit pritet të niset të hënën për në Australi. Në pamjet e publikuara, pasagjerët mund të shiheshin duke bredhur në kuvertën e anijes ose te dritaret, të gjithë me maska të bardha mjekësore në fytyrë, ndërsa ndodhte evakuimi i parë, raporton A2 CNN.

Disa prej tyre u ulën duke ruajtur distancën sociale në varkën e vogël të evakuimit, duke filmuar dhe bërë foto ndërsa i afroheshin tokës, ku u pritën nga zyrtarë me kostume mbrojtëse të bardha.

Anija u nis për në Spanjë nga brigjet e Kepit të Gjelbër, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Europian i kërkuan vendit të menaxhonte evakuimin e pasagjerëve pas zbulimit të shpërthimit të hantavirusit, përcjell A2 CNN.

“Të gjithë asimptomatikë”, evakuohen pasagjerët

Të gjithë pasagjerët në MV Hondius konsiderohen kontakte me rrezik të lartë si masë paraprake, tha agjencia europiane e shëndetit publik, duke shtuar se rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet i ulët. Tre persona kanë humbur jetën dhe në total të infektuarit janë 8.

Shtetet janë vënë në garë me kohën për të gjurmuar dhe izoluar njerëzit që kanë pasur kontakt me pasagjerët e anijes turistike. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos