Një ngjarje tragjike ka ndodhur në kampusin e Universitetit Shtetëror të Floridës, ku një student 20-vjeçar, Phoenix Ikner, hapi zjarr pranë ndërtesës së unionit studentor, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë.
Policia konfirmoi se autori, i cili është djali i një oficereje veterane të policisë në Leon County, kishte përdorur armën e shërbimit të nënës së tij, të cilën ajo e kishte mbajtur pasi forcat e policisë kishin përmirësuar armatimin. Në vendngjarje u gjet edhe një armë gjahu.
Ikner, i cili kishte marrë pjesë më parë në programe këshillimi rinor të policisë dhe ishte aktiv në demonstrata studentore, u qëllua nga forcat e sigurisë dhe ndodhet në spital.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende motivin e sulmit. Viktimat nuk ishin studentë, sipas policisë universitare, ndërsa identiteti i tyre nuk është bërë publik.
Incidenti ka rikthyer sërish në vëmendje debatin për kontrollin e armëve në SHBA. (A2 Televizion)