Numri i viktimave nga një seri sulmesh me dronë dhe raketa të lëshuara nga forcat ruse në kryeqytetin ukrainas dhe rajonin përreth është rritur në 6 të vdekur dhe rreth 20 të plagosur, sipas një njoftimi nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës, të publikuar nga Ukrainska Pravda.
Sulmet ndodhën në orët e para të mëngjesit dhe shënjestruan zona të banuara dhe infrastrukturë civile në Kiev. Si pasojë e shpërthimeve, janë dëmtuar rëndë një ndërtesë banimi, një qendër tregtare, një stacion metroje, si dhe disa objekte të tjera publike dhe private. Ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit vazhdojnë operacionet në terren, ndërsa mbeturinat e raketave të rrëzuara kanë shkaktuar zjarre në disa pjesë të qytetit.
Zyrtarët lokalë thanë se disa nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë, ndërkohë që spitalet e Kievit janë vënë në gatishmëri të lartë për të përballuar numrin e madh të të lënduarve.
Autoritetet ukrainase dënuan ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si një tjetër akt të agresionit të pamëshirshëm ndaj civilëve nga ana e Rusisë. Ky është një nga sulmet më të rënda në javët e fundit dhe tregon përshkallëzimin e tensioneve në rajon.
Deri më tani, Rusia nuk ka komentuar zyrtarisht për këto sulme, por Ukraina ka bërë thirrje për më shumë mbështetje ndërkombëtare dhe përforcim të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur civilët nga sulme të tilla vdekjeprurëse. (A2 Televizion)