Një avion i linjës Delta Air Lines u përfshi nga flakët ndërsa po përgatitej për ngritje nga Aeroporti Ndërkombëtar i Orlandos mëngjesin e së hënës, njoftoi Administrata Federale e Aviacionit (FAA).
Incidenti ndodhi rreth orës 11:15, kur motori i një Airbus A330 mori flakë pak para nisjes për në Atlanta.
Në bordin e fluturimit 1213 ndodheshin 282 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, të cilët u evakuuan në mënyrë të sigurt përmes daljeve të emergjencës. Sipas kompanisë Delta, nuk ka raportime për persona të lënduar.
Zëdhënësit e linjës ajrore konfirmuan se ekuipazhi reagoi menjëherë dhe zbatoi me korrektësi procedurat e evakuimit, pasi flakët u vunë re në sistemin e shkarkimit të njërit prej motorëve.
FAA ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit, ndërsa ngjarja vjen në një periudhë me disa raste të ngjashme në aeroportet amerikane, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në sektorin e aviacionit. (A2 Televizion)