
Një tragjedi ka ndodhur në Detin Mesdhe. Bëhet e ditur se një përmbytje e re anijeje në Mesdheun qendror, pranë brigjeve të Libisë, u ka marrë jetën e 166 personave. Lajmi fillimisht është bërë i ditur nga OJQ-ja gjermane Sea Watch, duke cituar raportet nga Alarm Phone, një rrjet ndërkombëtar aktivistësh dhe vullnetarësh që drejton një linjë telefonike emergjence për migrantët në vështirësi gjatë kalimit të Mesdheut.
Organizata u informua më 19 dhjetor se një anije ishte nisur nga porti libian i Zuwarës mbrëmjen e kaluar me 117 persona në bord. "Ne u përpoqëm vazhdimisht të kontaktonim anijen nëpërmjet telefonit satelitor, por pa sukses", raporton Alarm Phone.
"Në mbrëmjen e 21 dhjetorit, morëm informacion se peshkatarët tunizianë kishin gjetur një të mbijetuar të vetëm në një varkë druri. Burri thuhet se kishte deklaruar se ishte nisur nga Zuwara dy ditë më parë dhe se ai ishte i vetmi i mbijetuar." Më 21 dhe 22 dhjetor, "të ashtuquajturat roje bregdetare libiane dhe tuniziane na thanë vazhdimisht se nuk kishin lejuar askënd të zbriste gjatë atyre ditëve."
Për më tepër, as kërkimet ajrore të kryera më 20 dhe 21 dhjetor nga avioni Frontex Osprey 4 dhe as ai i kryer më 22 dhjetor nga Seabird 3 i Sea-Watch nuk gjetën asnjë gjurmë të anijes. "Ne vazhdojmë të kërkojmë informacione të mëtejshme dhe shpresojmë se nuk është e vërtetë që ka vetëm një të mbijetuar", përfundon Alarm Phone.
"Nëse kufijtë do të ishin të hapur, këta njerëz ndoshta nuk do të ishin detyruar kurrë të kalonin Mesdheun", komenton Sea Watch. "Ne kërkojmë përgjigje. E tëra çfarë duam për Krishtlindje janë kufij të hapur!" (A2 Televizion)