
Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë në veri të Bangkokut, në Tajlandë.
Sipas policisë, autori i dyshuar ishte një nxënës, i cili fillimisht vrau me armë zjarri gjyshërit e tij. Më pas, ai shkoi në shkollë dhe hapi zjarr, duke vrarë tre mësues dhe tre nxënës, përpara se të vetëvritej.
Autoritetet konfirmojnë gjithashtu disa të plagosur, mes tyre një mësues dhe tre nxënës, ndërsa media të tjera, përfshirë Al Jazeera, raportojnë se numri i të lënduarve mund të jetë mbi 20, shkruan A2CNN.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur motivet e ngjarjes, e cila ka tronditur opinionin publik në Tajlandë. Sulmi konsiderohet një nga episodet më të rënda të dhunës në një institucion arsimor në vend gjatë viteve të fundit.
(A2 Televizion)