
Një tragjedi ka ndodhur në ujërat e Indonezisë, ku të paktën pesë persona kanë humbur jetën, ndërsa 41 të tjerë rezultojnë të zhdukur, pasi një traget me mbi 250 persona në bord u përfshi nga flakët gjatë lundrimit.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, kapiteni i tragetit KMP Mutiara Sentosa 2 raportoi zjarrin ndërsa anija po udhëtonte nga Surabaya, qyteti i dytë më i madh i vendit në provincën Java Lindore, drejt Makassar, shkruan A2.
Autoritetet njoftuan se zjarri shpërtheu mes orës 06:00 dhe 07:00 me orën lokale.
Pamjet e publikuara tregojnë flakë dhe re të dendura tymi që përfshijnë tragetin, ndërsa dhjetëra pasagjerë me jelekë shpëtimi përpiqen të largohen nga anija. Në disa video shihen persona që hidhen në det për t’i shpëtuar flakëve.
Basarnas bëri të ditur se trageti ishte pothuajse tërësisht i përfshirë nga zjarri, ndërsa shumë pasagjerë u grumbulluan në pjesën e përparme dhe në urën e komandimit të anijes, duke pritur ndihmën e ekipeve të shpëtimit.
Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e personave të zhdukur vazhdon. Autoritetet pritet të nisin një hetim për të zbardhur rrethanat e incidentit.
(A2 Televizion)