Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka premtuar hakmarrje ndaj Rusisë për sulmin ndaj qytetit Sumy të dielën e Palmave. në fjalimin e mbrëmjes së Zelensky theksoi se do t’u përgjigjet vrasësve siç e meritojnë.
"Ne duhet t'i përgjigjemi sulmeve ruse dhe ne nuk do t'i lëmë këta bastardë që vranë njerëzit tanë në paqe në këtë tokë. Ne kemi çdo të drejtë ta bëjmë këtë. Është absolutisht e drejtë t'u përgjigjemi vrasësve ashtu siç e meritojnë", premtoi Zelensky.
Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff do të udhëtojnë në Paris nga 16 deri më 18 prill për bisedime me homologët evropianë për të çuar përpara qëllimin e Presidentit Trump për t'i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës dhe ndalimin e gjakderdhjes.
Zëvendëskryeministri ukrainas Svyrydenko tha se kishte pasur "përparim të rëndësishëm" në bisedimet me Shtetet e Bashkuara për marrëveshjen e mineraleve dhe ekipet kishin rënë dakord të nënshkruanin një memorandum "në të ardhmen e afërt".
Ndërkaq duke shpjeguar se si administrata Trump po has vështirësi në rritje për të negociuar një armëpushim për Ukrainën, gazeta The Economist raporton se "disa zyrtarë amerikanë kanë thënë se janë të lodhur nga përpjekjet e njëanshme të Evropës për të ndërtuar Ukrainën ushtarakisht dhe financiarisht. Ata thonë se lëvizje të tilla dobësojnë levat negociuese të Uashingtonit me Moskën".
Uashingtoni ka frikë se mbështetja evropiane për Kievin, e pakoordinuar me Shtetet e Bashkuara, do ta bëjë më të vështirë marrjen e lëshimeve nga Rusia dhe do të pengojë strategjinë e Trump, e cila synon një de-përshkallëzimin e kontrolluar dhe një armëpushim të negociuar. (A2 Televizion)