Trump do me çdo kusht Groenlandën: Nuk përjashtohet ndërhyrja e ushtrisë, por duam ta blejmë!

Nga Rosalba Bejdo
7 Janar 2026, 11:07 | Bota

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar pretendimet ekspansioniste lidhur me Groenlandën. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan Donald Trump po diskuton një sërë opsionesh për të përvetësuar Groenlandën, përfshirë edhe ndërhyrjen ushtarake. “Presidenti amerikan e sheh Groenlandën si një prioritet të sigurisë kombëtare, të nevojshëm për të parandaluar kundërshtarët në rajonin e Arktikut”, thuhet në deklaratë, përcjell A2.

Shtëpia e Bardhë shton se presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një sërë opsionesh për të ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe se, sigurisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit të përgjithshëm.

Ndërkohë, Wall Street Journal zbulon se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka thënë ligjvënësve se kërcënimet e fundit të administratës kundër Groenlandës nuk tregojnë një pushtim të menjëhershëm dhe se objektivi mbetet blerja e ishullit nga Danimarka. Sipas burimeve, takimi mes tij dhe funksionarëve të lartë të administratës është zhvilluar në një mbledhje me dyer të mbyllura, e fokusuar në operacionin për kapjen e presidentit venezuelian, Nicolás Maduro.

Zhvillimet vijnë disa orë pasi liderët europianë publikuan një deklaratë të përbashkët në mbështetje të Danimarkës, e cila ka kundërshtuar fuqishëm ambiciet e Trump për ishullin në Arktik.

“Groenlanda i përket vetëm njerëzve të vet”, deklaruan njëzëri krerët e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Danimarkës. Ata theksuan se siguria në Arktik duhet të garantohet në mënyrë të përbashkët nga aleatët e NATO-s.

Trump përsëriti gjatë fundjavës se SHBA-ja kishte nevojë për Groenlandën për arsye sigurie, duke shtyrë kryeministren daneze, Mette Frederiksen, të paralajmëronte se çdo sulm nga SHBA do të shënonte fundin e NATO-s. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos