“Trump ishte kundër sulmit”, Demiraj: Futja e SHBA-së në luftë, objektivi i jetës së Netanyahut. Pas Iranit, radhën e ka...

Nga A2 CNN
20 Qershor 2025, 19:50 | Bota

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Turmp, ka qenë kundër nisjes së sulmeve ndaj Iranit. Kështu tha në studion e Ditarit të pasdites në A2 CNN ish-ministri i Brendshëm dhe Koloneli Dritan Demiraj.

“Kam informacione që Presidenti Trump ka qenë kundër këtij sulmi, për arsye sepse si çdo president i SHBA, ka një grup ekspertësh dhe analistësh që i kanë të qarta pasojat. Por Netanyahu është Netanyahu, nuk pyet për asnjë president dhe ka atë strategjinë e vet, që unë shpresoj t’i dalë për mbarë”, u shpreh Demiraj.

Sipas tij, Irani në doktrinën e vet ka fshirjen e Izraelit nga harta. “Prandaj Izraeli është i detyruar të përdorë çdo metodë, edhe ato që janë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare, sepse përballet me mbijetesën e vet”, tha ai.

Demiraj shtoi se Irani po tregohet shumë i kujdesshëm, pasi nuk po përshkallëzohet dhe të provokojë futjen e SHBA në luftë, por sipas tij, as afati dyjavor i Trump nuk do të respektohet. “Sa herë që e rrit intensitetin e goditjeve Izraeli, ai e përshkallëzon po në atë nivel. Sepse nuk do të provokojë futjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por unë nuk besoj që Izraeli ka kohë edhe 2 javë dhe kjo deklaratë e Presidentit Turmp, besoj që është një taktikë e cila po kërkon të krijojë një befasi në rast të një sulmi të mundshëm, që unë mendoj se do të jetë për 48-72 orë. Sepse në rast se nuk futen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli nuk e përballon dot Iranin”, tha Demiraj.

“Netanyahu e ka objektivin e jetës së tij që SHBA të futet në luftë kundër Iranit. Që të ikë Irani, pastaj të vazhdojë me Pakistanin, pastaj e ka radhën Turqia dhe jo vetëm. Krijimi i Izraelit të Madh është rrezik ekzistencial për vendet e Gjirit Persik”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos