
Rusia ndërmori një sulm masiv me raketa e dronë pranë kryeqytetit Ukrainas të premten, duke vrarë të paktën 1 person e duke plagosur 8 të tjerë. Sipas autoriteteve në shënjestër u vunë tre qyteza satelit të Kievit, Buça, Fastiv dhe Obukhiv.
Siç bëhet e ditur rreth 20 kafshë u vranë pas shënjestrimit të një klinike veterinare. Një tjetër qytetar humbi jetën pasi një bombë ruse goditi një bllok apartamentesh në Ukrainën veriore sipas zyrtarëve lokal. Ministri I jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, tha në një postim në X, se gati 500 dronë dhe raketa Kruz ishin lëshuar mbi Ukrainë gjatë natës.
“Kështu u përgjigjet Moska propozimeve për armëpushim për Pashkë”, tha ministri i Jashtëm. Presidenti Ukrainas sinjalizoi të enjten se Kievi ishte i hapur për një armëpushim të mundshëm për Pashkët Ortodokse, të cilat sipas kalendarit Julian, festohen javën e ardhshme.
Zelensky u tha gazetarëve se propozimi i ishte përcjellë Moskës përmes kanaleve amerikane. Pozicioni rus mbetet i paqartë, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha të premten se një marrëveshje do të arrihej, nëse Ukraina tërheq trupat nga zona e Donbasit. (A2 Televizion)