Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të zbutur tarifat ndaj importeve indiane, i dha frymëmarrje lehtësimi tregjeve rreth shtetit aziatike, edhe pse detajet e marrëveshjet mbeten ende të pasqaruara. Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi të hënën marrëveshjen me Indinë për të reduktuar tarifat në 18 përqind nga 50 përqind që ishin, në këmbim të ndërprerjes së blerjeve të naftës ruse nga ana e Nju Delhit, dhe uljes së barrierës tregtare.
Një zyrtar i qeverisë indiane tha se vendi ka rënë dakord të blejë naftë, pajisje mbrojtëse dhe avionë nga SHBA-ja, ndërsa pjesërisht do të hapë sektorin e tij të mbrojtur të bujqësisë në kuadër të marrëveshjes. Sipas zyrtarit, Nju Delhi ka ulur gjithashtu tarifat për makinat e importuara për t’iu përgjigjur kërkesave të menjëhershme të Uashingtonit.
“Jam shumë i kënaqur që produktet Made in India tani do të kenë një tarifë të reduktuar prej 18%. Falënderime të mëdha për Presidentin Trump, në emër të 1.4 miliardë njerëzve të Indisë, për këtë njoftim të mrekullueshëm. Kur dy ekonomi të mëdha dhe demokracitë më të mëdha në botë bashkëpunojnë, kjo u sjell përfitime popujve tanë dhe hap mundësi të jashtëzakonshme për bashkëpunim të dobishëm”.
Trump tha se India do të blejë më shumë produkte amerikane, me blerje që do të rriten në mbi 500 miliardë dollarë, përfshirë energjinë, qymyrin, teknologjinë, produktet bujqësore dhe mallra tëtjera. Ai nuk specifikoi asnjë afat kohor.
Në një reagim Kremlini tha se nuk ka dëgjuar asnjë deklaratë nga India lidhur me ndalimin e blerjeve të naftës ruse.
Ndërkohë agjencia Moody’s paralajmëron se ndalimi i menjëhershëm i importeve të naftës ruse mund të jetë destabilizues për rritjen ekonomike të Indisë.
“Një kalim i plotë drejt naftës jo-ruse mund të shtrëngojë furnizimin në tregje të tjera, të rrisë çmimet dhe të përkthehet në inflacion më të lartë, duke qenë se India është një nga importuesit më të mëdhenj të naftës në botë,” thuhet në deklaratë. (A2 Televizion)