Trump: SHBA-të do të ndalojnë migrimin nga vendet e botës së tretë

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2025, 13:38 | Bota

Trump: SHBA-të do të ndalojnë migrimin nga vendet e botës

Presidenti Donald Trump ka thënë se do të "ndalojë përgjithmonë migrimin" drejt SHBA-së nga të gjitha "vendet e botës së tretë".

Sipas mediave të huaja, Presidenti amerikan shkroi në një postim në Truth Social se kjo do të "lejonte që sistemi amerikan të rimëkëmbet plotësisht" nga politikat që kishin gërryer "fitimet dhe kushtet e jetesës" të shumë amerikanëve.

Ai nuk dha detaje mbi planin e tij dhe as nuk përmendi vendet që mund të preken, shkruan A2 CNN.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi një shtetas afgan u akuzua për të qëlluar dy anëtarë të Gardës Kombëtare në Uashington DC, njëri prej të cilëve ka vdekur. Trump sugjeroi se incidenti nënvizonte një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare.

Njoftimet e mëvonshme të Presidentit përfaqësojnë një ashpërsim të mëtejshëm të qëndrimit të tij ndaj imigracionit, shkruan A2 CNN.

Pas të shtënave, ai premtoi të largonte nga SHBA-ja çdo të huaj "nga çdo vend që nuk i përket këtu". Po atë ditë, SHBA-të pezulluan përpunimin e të gjitha kërkesave për imigracionin nga afganët, duke thënë se vendimi ishte marrë në pritje të një shqyrtimi të "protokolleve të sigurisë dhe verifikimit". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos