Trump tërheq zv.presidentin për arsye sigurie: JD Vance nuk do të kryesojë bisedimet në Islamabad

Nga A2 CNN
19 Prill 2026, 17:43 | Bota

Trump tërheq zv.presidentin për arsye sigurie: JD Vance nuk do

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se zëvendëspresidenti JD Vance nuk do të udhëheqë delegacionin amerikan në raundin e ri të bisedimeve me Iranin në Pakistan, për arsye sigurie.

“Është vetëm për çështje sigurie. J.D. është i shkëlqyer”, u shpreh Trump në një intervistë për ABC News, duke sqaruar se Shërbimi Sekret nuk kishte mundur të garantonte në kohë masat e nevojshme për udhëtimin drejt Islamabadit.

Megjithatë, në një deklaratë të mëvonshme, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Vance pritet të marrë pjesë në bisedime, duke lënë të paqartë rolin e tij përfundimtar në delegacion.

Më herët gjatë ditës, zyrtarë amerikanë kishin lënë të kuptohej se ai do të ishte në krye të negociatave. Në raundin e mëparshëm në Islamabad, Vance ishte shoqëruar nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Nga ana tjetër, Irani nuk ka konfirmuar ende zyrtarisht pjesëmarrjen në bisedimet e reja. Megjithatë, sipas burimeve, delegacioni iranian pritet të mbërrijë në Pakistan të martën. Në përbërje mund të jenë figura kyçe si kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, ministri i Jashtëm Abbas Araghchi dhe negociatori Ali Bagheri Kani.

Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se pritet një deklaratë simbolike për zgjatjen e armëpushimit. Nëse zhvillimet ecin pozitivisht, nuk përjashtohet edhe një takim i nivelit të lartë mes presidentëve të SHBA-së dhe Iranit, me mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje të përbashkët në Islamabad. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos