
Presidenti Donald Trump e ka paralajmëruar zëvendës-presidenten, e cila është aktualisht presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodriguez, që të mos sfidojë SHBA-të.
"Nëse ajo nuk bën atë që është e drejtë, do të paguajë një çmim shumë të lartë, ndoshta më të madh se Maduro", tha presidenti amerikan për ‘The Atlantic’, në një intervistë telefonike këtë mëngjes sipas kohës amerikane.
Kujtojmë se dje Trump tha se SHBA-të do të “drejtonin” Venezuelën pas kapjes së Nicolas Maduros, deri në një tranzicion të sigurt të pushtetit, shkruan A2 CNN.
Ai tha po ashtu se Rodriguez ishte "e gatshme të bënte atë që ne mendojmë se është e nevojshme", në një kontrast të dukshëm me fjalimin sfidues që ajo mbajti ditën e sotme.
Në intervistë, Trump tregoi se e konsideronte ndryshimin e regjimit një qëllim legjitim pas kundërshtimit nga pjesë të së djathtës amerikane që janë kritike ndaj ndërhyrjeve të huaja.
"E dini, rindërtimi atje dhe ndryshimi i regjimit, sido që të doni ta quani, është më mirë se ajo që keni tani. Nuk mund të bëhet më keq", tha Trump.
Trump shtoi se Venezuela mund të mos jetë vendi i fundit ku SHBA-të mund të ndërhyjnë, shkruan A2 CNN.
"Ne kemi nevojë për Groenlandën, absolutisht", tha ai, duke vënë në dukje se ishulli, i cili i përket Danimarkës, ishte "i rrethuar nga anije ruse dhe kineze". (A2 Televizion)