Koncensioni i hemodializës, PD: Ky model duhet të marrë fund, solli pasoja negative për qytetarët

Nga A2 CNN
14 Gusht 2026, 15:52 | Politikë

Pas 10 vitesh nën koncension me privatin hemodializa tashmë është në dorën e shtetit.

Demokratët që e kundërshtuan me forcë të gjitha kontratat e partnerirteit publik privat ne Shëndetësi sot ngrenë një pyetje tashmë kur kontrata ka përfunduar. Çfarë solli koncensioni i hemodializës? Përgjigjen e japin po vetë përmes Bardh Spahisë, kryetar i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë.

“Nuk ndryshoi nevoja e pacientëve. Nuk u shpik hemodializa. Nuk u krijua një treg i ri. U ndryshua modeli, duke u kaluar nga një sistem i decentralizuar dhe me kontraktim periodik në një kontratë 10-vjeçare, të centralizuar dhe të përqendruar në një operator të vetëm”, tha Spahia, shkruan A2.

Spahia sjell në vëmendje historinë e koncensionit nga procedurat tenderuese deri tek zbatimi i tij duke iu referuar edhe gjetjeve që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit: “KLSH ka konstatuar raste ku koncesionari ka faturuar shërbime për periudha kur qendrat e dializës nuk ekzistonin ende dhe kur shërbimi vazhdonte të ofrohej nga spitalet publike. Pra, shteti paguante koncesionarin, ndërkohë që për të njëjtët pacientë shërbimi ofrohej nga spitali publik me fondet e veta. Ky është thelbi i PPP-ve të shëndetësisë së Edi Ramës: jo të zgjidhin problemin, por të krijojnë një kontratë afatgjatë për të mbushur xhepat nga taksat e shqiptarëve”.

Në një kohë kur nga qeveria po mendohet që dializa t’i jepet sërish privatit, demokratët kërkojnë që t’i jepet fund këtij modeli që sipas tyre u provua i dështuar: “Shëndetësia nuk është biznes privat i qeverisë. Shëndetësia është e drejta e qytetarit dhe detyrimi i shtetit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos