“Duhet të jemi dy bashki”, kryebashkiaku i Pukës: Jo bashkim, Fushë-Arrësi rrezikon shpopullimin

Nga Fjorela Beleshi
14 Gusht 2026, 15:42 | Politikë

Edhe pse përfiton terren nga projekti socialist, kryebashkiaku i djathtë Rrok Dodaj është kundër zgjerimit të Bashkisë së Pukës me Fushë-Arrësin.

Në një intervistë për A2CNN, demokrati i rri linjës së partisë së tij, duke vënë në plan të parë atë që duan e nuk duan qytetarët: “Nuk e duan qytetarët dhe unë jam kundër”.

Dodaj pohon se bashkimi me Pukën do ua vështirësojë marrjen e shërbimeve banorëve të Fushë-Arrësit: “Ata janë 20 km larg dhe do jetë një shpenzim më i madh ekonomik për ta”.

Kryebashkiaku nuk e beson argumentin e mazhorancës se qytetet me strukturën që propozohet apo njësitë administrative në fshatra do të kenë më shumë kompetenca. Këtë e bazon në ekesperiencën e tij si kryebashkiak: “Nuk kemi ne kompetenca. Sot njësitë administrative nuk kanë kompetenca. Njerëzit i marrin shërbimet në bashki”.

Të pasinqerta i sheh kriteret që PS ka vendosur për të reduktuar numrin e bashkive. Sipas tij, gjithçka mund të funksiononte më mirë nëse bashkitë do të kishin më shumë kompetenca: “Neve na hoqën ujësjellësin, mund të na heqin edhe pyjet, edhe zjarrëfikësit. Nuk kanë lidhje burimet njerëzore, por mungesa e buxhetit”. 

Ashtu si të majtët në jug, edhe kryebashkiaku i Pukës në veri vë alarmin se Fushë-Arrësi do të shpopullohet nëse shkrihet si bashki.

Edhe pse ai është kundër një bashkie të madhe Pukë-Fushë-Arrës, vendimi final i takon Këshillit Bashkiak. A2CNN u interesua edhe te kryebashkiakët e Beratit, Lushnjes, Korçës dhe Kavajës, por ata refuzuan të jepnin qëndrimin e tyre nëse janë kundër apo pro zgjerimit të njësive që drejtojnë. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos