Një 21-vjeçar norvegjez, Mads Mikkelsen, ka deklaruar se është ndaluar, marrë në pyetje dhe më pas dëbuar nga Shtetet e Bashkuara pasi oficerët e emigracionit në aeroportin Newark, New Jersey, zbuluan në telefonin e tij një meme që tallte zëvendëspresidentin amerikan JD Vance.
Mikkelsen mbërriti më 11 qershor, me qëllim të kalonte pushime në SHBA, por planet e tij morën fund menjëherë kur u ndalua nga kontrolli kufitar dhe u vendos në një qeli. Ai tha për median norvegjeze Nordlys se ishte viktimë e “abuzimit me pushtetin dhe ngacmimit të padrejtë”.
Sipas tij, oficerët i bënë pyetje pa lidhje si “a je përfshirë në trafik droge, akte terroriste apo ekstremizëm të djathtë”, dhe më pas i kërkuan me kërcënime fjalëkalimin e telefonit. Në telefonin e tij u gjet një meme ku JD Vance paraqitej pa flokë, sipas Mikkelsen, për ta dëbuar nga vendi të njëjtën ditë, shkruan A2 CNN.
Ky rast vjen pas një tjetër incidenti, ku një shkrimtar australian, Alistair Kitchen, 33 vjeç, u ndalua në Los Angeles më 12 qershor gjatë një ndalese transiti për në Nju Jork. Ai u mbajt për 12 orë dhe më pas u kthye në Melburn, duke pretenduar se arsyeja e ndalimit ishin qëndrimet e tij politike për konfliktin në Gaza dhe artikujt në mbështetje të protestave pro-palestineze në universitetin Columbia.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare e ka mohuar këtë pretendim si “plotësisht të pavërtetë”. (A2 Televizion)