Një “bishë” fluturuese e projektuar dhe prodhuar në Turqi, do t’i bashkohet së shpejti arsenalit të Forcave Ajrore të vendit.
Bëhet fjalë për gjuajtësin e parë turk të gjeneratës së 5-të “KAAN”. Edhe pse prototipi i parë u lançua në mars të këtij viti, ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler ka bërë me dije se avioni do të kryejë fluturimin e parë testues më 27 dhjetor.
Jo vetëm kaq pasi Ankaraja ka planifikuar që “Kaan” të përfshihet në arsenalin e Forcave Ajrore Turke brenda vitit 2032.
Avioni është projektuar për të qenë një luftëtar me shumë funksione, i aftë për misione në ajër, ajër-tokë dhe luftën elektronike.
“KAAN” është një avion luftarak me dy motorë, që mund të përshkruaj një distancë prej mbi 3000 kilometrash me shpejtësi maksimale prej 1.8 Mach.
Avioni është i pajisur me një sërë sensorësh dhe armësh të avancuara, duke përfshirë një radar aktiv të skanuar elektronikisht (AESA), një ekran të montuar në helmetë (HMD) dhe raketa ajër-ajër.
Zhvillimi i “KAAN” është një moment historik i madh për industrinë turke të hapësirës ajrore, pasi avioni pritet të zëvendësojë flotën F-16 Fighting Falcon të Forcave Ajrore Turke, e po ashtu do të eksportohet edhe në vende të tjera si Pakistani, Malajzia dhe Indonezia.
Ndërkohë, Guler gjatë deklaratës së tij tha se në lidhje me blerjen nga SHBA të 40 F-16 Block 70 Vipers dhe 79 komplete modernizimi për flotën ekzistuese luftarake të Turqisë, takimet teknike me palën amerikane kanë përfunduar dhe pritet që marrëveshja të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Edhe Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pas takimit të fundit me Joe Biden, ka deklaruar se SHBA ka bërë përgatitjet e fundit për ta çuar çështjen në Kongres sa më shpejt që të jetë e mundur.
Megjithatë, komentoi ministri turk, çështja më e rëndësishme në procesin e kontraktimit është që "aleatët të mos vendosin sanksione ndaj njëri-tjetrit".
“Ne gjithmonë theksojmë se aleatët duhet të kenë një kuptim të mirë të funksionimit global dhe rajonal të Turqisë dhe, në përputhje me rrethanat, duhet të braktisin menjëherë kufizime të tilla. Theksojmë se një Turqi e fortë dhe Forca të Armatosura të forta turke do të thotë një NATO e fortë dhe një aleancë e fortë, madje edhe një luftë e fortë kundër terrorizmit”, tha ai.
E teksa procesi i prokurimit dhe modernizimit të F-16 vazhdon, i vetmi aeroplan ku Turqia po fokusohet aktualisht, sipas Yasar Guler, është Eurofighter.
Turqia planifikon të blejë 40 avionë Eurofighter në versionin e tyre të avancuar, 20 në fazën e parë dhe 20 në fazën e dytë.
“Mbështetja dhe qasja e Mbretërisë së Bashkuar për këtë çështje është e rëndësishme si shembull për aleatët e tjerë. Spanja gjithashtu na ofron mbështetje të ngjashme”, tha ai, duke shprehur shqetësimin e tij për qëndrimin e Gjermanisë.
“Përsa i përket kundërshtimeve të Gjermanisë, do të ishte qasja e duhur për të marrë zgjedhje dhe vendime në përputhje me frymën e aleancës dhe perspektivën e përbashkët të sigurisë.” (A2 Televizion)