“Një uragan i fuqishëm do të godasë qiellin e qytetit të Gazës dhe çatitë e kullave të terrorit do të dridhen.”
Më këto fjalë, ministri i Mbrojtjes izraelite Israel Katz, njoftoi intensifikim të sulmeve ndaj enklavës së copëtuar. Synimi I Izraelit është ti japë një paralajmërim të fundit Hamasit se do të shkatërrojë Gazën nëse luftëtarët nuk do të pranojnë kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump për të liruar pengjet e për tu dorëzuar.
Banorët e qytetit të Gazës raportuan bombardime nga ajri në disa lagje dhe shpërthim të makinave të blinduara nëpër rrugë. Hamasi ka thënë se po studion propozimin e fundit të SHBA për armëpushim i paraqitur të dielën, me një paralajmërim nga Trump se kjo ishte mundësia e fundit për grupin militant
“Ky është paralajmërimi i fundit për vrasësit dhe përdhunuesit e Hamas në Gaza dhe në hotelet luksoze jashtë vendit. Lironi pengjet dhe ulni armët ose Gaza do të shkatërrohet dhe ju do të asgjësoheni”, tha Israel Katz.
Sipas zyrtarëve të lartë izraelitë, propozimi i fundit amerikan për Gazën i kërkon Hamasit të kthejë 48 pengjet e gjallë e të vdekur në ditën e parë të armëpushimit, gjatë së cilit do të zhvillohen edhe negociatat për fundin e luftës.
Grupi militant prej kohësh thotë se synon të mbajë disa pengje deri sa negociatat të përfundojnë. Në një deklaratë pohoi përkushtimin për të liruar të gjitha pengjet njëkohësisht me fundin e luftës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga gaza. 12 persona mbetën të vrarë dhe banesa të tëra u shkatërruan në sulmet e së hënës, ndërsa mes viktimave raportohet të jetë edhe gazetari Osama Balousha.
250 gazetarë janë vrarë deri më tani në luftën izraelite në rripin e gazës duke e bërë këtë konfliktin më vdekjeprurës për mediat në histori. (A2 Televizion)