“Vëllezër lufte” kundër botës, Putin dhe Kim Jong Un përqafohen e zotohen për mbështetje pa kufi

Nga Rosalba Bejdo
3 Shtator 2025, 11:40 | Bota

Përpos armatimeve më të fundit ushtarake, parada në kinë ekspozoi edhe lidhjen e fortë mes dy liderëve më të izoluar nga bota perëndimore; Vladimir Putin dhe Kim Jong Un. Afrimiteti mes të dyve ishte i lexueshëm në gjestikulacione dhe nuk i shpëtoi objektivit.

Në një takim që pasoi paradën madhështore ku të dy ishin të ftuar nderi, diktatori koreanoverior iu zotua për mbështetje të plotë aleatit rus, duke premtuar se do të bënte gjithçka të mundur për të ndihmuar Moskën. Ndërkohë presidenti rus falënderoi Penianin për dërgimin e trupave në luftën kundër Ukrainës.

“Dua të theksoj se ushtarët tuaj luftuan me kurajo dhe në mënyrë heroike. Ne nuk do të harrojmë kurrë sakrificat e forcave tuaja të armatosura dhe familjeve të tyre. Në emër të popullit rus ju falënderoj për pjesëmarrjen në luftën e përbashkët kundër neo nazizmit”, tha Putin.

“Që kur marrëveshja mes vendeve tona u nënshkrua qershorin e kaluar, marrëdhëniet kanë avancuar në të gjitha fushat. Sipas kësaj marrëveshje dhe në përputhje me detyrimet që burojnë prej saj ne ju bashkuam betejës kreh popullit dhe ushtrisë vëllazërore të Rusisë. Fakti që ju Comrad Putin keni vlerësuar vazhdimisht heroizmin e ushtarëve tanë, është diçka për të cilat ju shpreh mirënjohje të veçantë. Dhe siç e kam thënë edhe më herët, nëse ka ndonjë mënyrë me të cilën mund të ndihmojmë Rusinë, ne do ta bëjmë si një detyrë vëllazërore. Nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për t’iu ndihmuar”, tha Kim Jong Un.

Dy vendet janë të lidhura nga një marrëveshje të mbrojtjes së përbashkët e nënshkruar në vitin2024, dhe të dyja përballen me sanksione të forta ndërkombëtare; Rusia për luftën në Ukrainë dhe Koreja e veriut për programin bërthamor.

Bisedimet që zgjatën 2orë e gjysmë u mbyllën me një përqafim të ngrohtë mes udhëheqësve dhe me një ftesë nga ana e Putinit, që Kim Jong Un të vizitojë së shpejti Moskën. Për Kim, kjo ishte e para vizitë në Kinë që prej pandemisë dhe një mundësi e artë për të takuar njëkohësisht si Putin ashtu edhe Jinping. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos