VIDEO| Fillimisht ikin dritat, më pas nis përmbytja e shpellës, turistët përjetojnë momente tmerri

Nga A2 CNN
21 Korrik 2025, 17:26 | Bota

VIDEO

Një ngjarje dramatike ndodhi në Shpellat Marble Arch në Fermanagh, Irlandë e Veriut, kur një përmbytje e befasishme detyroi evakuimin urgjent të turistëve që ndodheshin brenda rrjetit të shpellave.

Fillimisht, kushtet atmosferike ishin të qeta kur nisi turi, por 15 minuta më pas energjia elektrike u ndërpre, dhe pas disa momenteve, shpërthyen shirat e rrëmbyeshëm. Shkallët e shpellave u kthyen në ujëvara dhe hyrja u bë e pakalueshme, duke krijuar një skenë që turistët e përshkruan si “diçka nga një film i Hollivudit”.

Në grupin prej 17 vetash ishin edhe Kim Mahon Hay dhe bashkëshorti i saj, të cilët treguan se u kapën në befasi nga situata. “Nuk e prisnim aspak këtë. Në fillim qeshëm nga adrenalina, por kur stafi tha se nuk kishin parë diçka të tillë në 20 vite, ndjemë frikën”, tha ajo.

Stafi i shpellave u vlerësua për reagimin e shpejtë dhe profesional. Ata udhëhoqën vizitorët përmes ujëvarave, shpërndanë çadra, u dhanë rroba të thata, batanije dhe pije të ngrohta kur dolën jashtë.

Një zëdhënës i Këshillit të Qarkut Fermanagh dhe Omagh deklaroi se shpellat janë ende të përmbytura dhe se turnet janë pezulluar deri në një njoftim të dytë. “Siguria e vizitorëve dhe stafit është prioriteti ynë”, theksoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos