
Një zëdhënës i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya ka deklaruar se forcat e armatosura të Iranit nuk kanë kryer asnjë operacion me raketa apo dronë kundër Emirateve të Bashkuara Arabe në ditët e fundit.
Zëdhënësi, Ebrahim Zolfaghari, tha në një deklaratë se Emiratet nuk duhet të “kthehen në një bazë për amerikanët dhe zionistët, për forcat e tyre ushtarake dhe pajisjet e tyre”.
Sipas tij, Irani ka qenë objekt i “sulmeve të padrejta mediatike, akuzave të pabaza dhe propagandës” nga ana e Emirateve, duke shtuar se vendi i Gjirit është bërë “një nga bazat kryesore për amerikanët dhe zionistët, si armiq të botës islame dhe shkaku kryesor i pasigurisë në rajon”.
“Ne paralajmërojmë se nëse ndërmerret ndonjë veprim nga territori i Emirateve të Bashkuara Arabe kundër ishujve, porteve dhe brigjeve të vendit tonë, do të japim një përgjigje shkatërruese dhe për t’u penduar,” shtoi ai.
Emiratet e Bashkuara Arabe deklaruan dje se rezervojnë të drejtën për t’iu përgjigjur sulmeve iraniane në territorin e tyre, përcjell A2CNN. (A2 Televizion)