Humbjet e Koresë së Veriut në luftën e Rusisë kundër Ukrainës tashmë arrijnë në 4000 ushtarë. Shifrat u zbuluan sot nga Volodymyr Zelensky në hapjen e takimit të 25-të të Grupit të Kontaktit për çështjet e mbrojtjes së Ukrainës në bazën amerikane “Ramstein”, në Gjermani.
Presidenti i Ukrainës tha gjithashtu se ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar hap një "kapitull të ri" për evropianët, të cilët duhet "të bashkëpunojnë edhe më shumë", duke siguruar se ai e sheh atë si "një periudhë mundësie".
"Është e qartë se një kapitull i ri do të hapet për Evropën dhe të gjithë botën në vetëm 11 ditë, një kohë kur ne duhet të punojmë së bashku edhe më shumë, të mbështetemi edhe më shumë tek njëri-tjetri dhe të arrijmë rezultate edhe më të rëndësishme", tha Zelensky.
Presidenti ukrainas madje u shpreh se “vendosja e forcave ushtarake perëndimore në Ukrainë do të kontribuojë në shtyrjen e Rusisë drejt paqes", duke lënë të hapur mundësinë kaq shumë të debatuar që u hodh si ide nga Emmanuel Macron muaj më parë.
"Dislokimi i forcave ushtarake aleate është një nga mjetet më të mira për të bërë presion ndaj Rusisë drejt paqes. Le të jemi më praktikë në zbatimin e saj”, tha ai.
Po ashtu për Zelensky-n lejimi i prodhimit të sistemeve anti-ajrore amerikane në Ukrainë mund të jetë një pjesë e rëndësishme e garancive të sigurisë për vendin e tij. "Dhe është absolutisht e mundur", nënvizoi ai. (A2 Televizion)