
Një propozim iranian, i refuzuar deri më tani nga presidenti Donald Trump, do të hapte lundrimin në Ngushticën e Hormuzit dhe do t’i jepte fund bllokadës amerikane ndaj Iranit, ndërsa bisedimet për programin bërthamor të Iranit do të shtyheshin për më vonë, konfirmoi një zyrtar i lartë iranian.
Duke folur në kushte anonimiteti për të diskutuar diplomacinë konfidenciale, zyrtari tha se Teherani beson se propozimi i tij më i fundit për të shtyrë bisedimet bërthamore për një fazë të mëvonshme është një ndryshim i rëndësishëm që synon lehtësimin e një marrëveshjeje, përcjell A2CNN.
“Sipas këtij kuadri, negociatat mbi çështjen më të ndërlikuar bërthamore janë zhvendosur në fazën përfundimtare për të krijuar një atmosferë më të favorshme,” i tha zyrtari agjencisë së lajmeve Reuters.
Ky afat i ri u përfshi në një propozim zyrtar të përcjellë te Shtetet e Bashkuara përmes ndërmjetësve, shtoi ai.
Sipas propozimit, lufta do të përfundonte me një garanci që Izraeli dhe SHBA-të nuk do të sulmonin më. Irani do të hapte ngushticën e Hormuzit dhe SHBA-të do të hiqnin bllokadën e tyre. (A2 Televizion)