A e ndali vërtet Trump luftën Kosovë-Serbi? Ekspertët në Beograd: Fushatë për Nobelin e përmirësim të imazhit

Nga A2 CNN
10 Korrik 2025, 20:16 | Aktualitet

Për të disatën herë brenda pak javësh, Presidenti amerikan Donald Trump përmend Kosovën dhe këmbëngul në faktin se kishte ndalur luftën në rajon.

Pa dhënë detaje të mëtejshme ashtu sikurse në prononcimet e kaluara, kreu i Shtëpisë së Bardhë në deklaratën e fundit tha se kishte penguar konfliktin duke kërcënuar të ndalte tregtinë, shkruan A2. 

“Kam arritur të zgjidh shumë prej këtyre situatave, si India dhe Pakistani, Kosova dhe Serbia. U kam thënë: a do të luftoni? Atëherë nuk do të bëjmë tregti. Dhe kjo mënyrë ka qenë e suksesshme e ka dhënë rezultat”, deklaronte Trump. 

Pak ditë më parë, gjatë një darke me kryeministrin izraelit, Trump përcaktoi madje edhe kohën kur e kishte ndalur sulmin, duke pohuar se kishte ndodhur rreth 3 javë më parë.

Sipas ekspertëve të cituar nga media serbe “Blic”, deklaratat e Trump janë pjesë e një fushate mediatike për të përmirësuar imazhin e tij dhe për nominimin e mundshëm për çmimin Nobel.  

Igor Novaković, drejtor ekzekutiv i fondit Isac, thotë për “Blic” se nuk beson që Trump të ketë ndonjë informacion nga terreni, pasi gati të gjitha ambasadat në rajon janë pa ambasadorë.

Politologu Mijat Kostić thotë për median serbe se pretendimet se Serbia dhe Kosova ishin në prag të një konfikti të armatosur nuk janë mbështetur në prova. Eksperti vëren se nuk ka pasur asnjë raport të aktorëve ndërkombëtarë dhe as zyrtarë shtetërorë nuk e kanë konfirmuar apo mohuar atë. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos