Peticioni me detyrim nga Lista Srpska, arsyeja nuk dihet, por serbët janë kundër urave mbi Ibër

Nga Xhevahir Qardaku
7 Korrik 2025, 13:13 | Aktualitet

Në veri të Kosovës po organizohet një peticion kundër ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër. Kështu raportojnë media të ndryshme, duke saktësuar se kjo po bëhet me iniciativë të Listës Serbe, që kontrollohet nga qeveria e Serbisë.

Kreu i kësaj forcë politike, Zlatan Elek, tha për Radio Televizionin e Serbisë, se qëllimi është të tregohet një qëndrim i unifikuar i komunitetit që përfaqëson për të kundërshtuar pa arsye vendimet e qeverisë së Kosovës.

“Kjo është një urë ndarëse, jo një urë lidhëse, siç pretendojnë ata. Ajo që është e rëndësishme është se në afërsi të menjëhershme të kësaj ure kryesore, siç e quajmë ne, në Ibër, e cila aktualisht nuk është funksionale për trafikun e pasagjerëve dhe mallrave, por është funksionale për kalimin e të gjithë kalimtarëve”, u shpreh ai.

Elek sqaroi se peticioni në fjalë do të jetë në qarkullim gjatë 2 ditëve, përpara se t’i përcillet komunitetit ndërkombëtar. Bashkimi Europian, në një përgjigje për A2CNN, bën me dije se nuk është në dijeni të projekteve për urat e reja, ndërsa kërkon që të bëhet kujdes me çdo investim për të përfshirë të gjitha komunitetet e prekura. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vendosi gurthemelin e parë dhe nënvizoi se me ndërtimin e tyre po tregon vullnet dhe përkushtim për lidhjen e Veriut dhe Jugut të Mitrovicës, shkruan A2 CNN.

Qeveria ka ndarë 3 milionë euro për ndërtimin e urave, ndërsa punimet pritet që të përfundojnë në vjeshtë. Kurti konfirmoi se nuk ka hequr dorë nga hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër, por u shpreh i vetëdijshëm se për këtë vendim duhen bindur edhe ndërkombëtarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos