Ura që sjellin tensione? Ekspertët: Nuk ka vend për shqetësim, siguria në veri nuk rrezikohet

Nga Ideal Gola
8 Korrik 2025, 20:26 | Aktualitet

Lista Serbe kundërshtoi përmes një peticioni ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër, reagimi ky që erdhi pasi edhe presidenti i serb Aleksandër Vuçiç dënoi këtë projekt. Ndërsa lëvizjet kanë shtuar frikën për ndonjë tension në veri, ekspertët e sigurisë nuk shohin ndonjë arsye për shqetësim lidhur me ndërtimin e dy urave që do të lidhin Mitrovicën e veriut me atë të jugut.

“Numri i incidenteve tek ura është jashtëzakonisht shumë i vogël, mbase shpesh herë është një tendencë që këtyre incidenteve edhe të natyrës tjetër t’ju vishet ky petkui incidenteve ndëretnike por numri i incidenteve në urë është jashtëzakonisht i vogël”, thotë Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Vuçiç ankesat ika veta i ka parashtruar tek vendet perëndimore, ku po ashtu është adresuar edhe peticioni i Listës Serbe.

Bashkimi Europian ka kërkuar gjithëpërfshirje në projekte të tilla duke konsultuar të gjitha komunitetet. Kjo ka ngritur shqetësime se mos këto ura mund të përfundojnë si ajo kryesorja që është e hapur vetëm për këmbësorë.

“Ka ura të tjera të cilat faktori ndërkombëtar asnjëherë nuk i ka mbyllur, mendoj se nuk ka kurrfarë arsye që të mbyllen këto ura, ndoshta ajo ura në qendër të qytetit mund të shndërrohet në pedonale, apo të ketë një trajtim të ndryshëm për të mos ngritur debat”, tha Vrajolli.

Aktualisht Mitrovica e ndarë në dy komuna administrative lidhet me dy ura ku qarkullojnë veturat, ndërsa një ka mbetur për këmbësorë. Shtimi i dy urave të tjera mund të sjellë ndonjë “incident sporadik” por në sytë e ekspertëve nuk ka potencial për destabilizim të situatës.

“Risku më i madh në pjesën veriore është nëse kufijtë nuk janë të kontrolluar, mendoj se në këtë pikë në kontrollin kufitar përgjegjëse ekskluzive është KFOR kështu që siguria e Kosovës në pjesën veriore varet enkas në performancën e KFOR”, shtoi eksperti.

Dy urat e reja që pritet të përfundojnë në vjeshtë kanë kosto prej 3 milionë eurosh dhe është investim i Qeverisë së Kosovës. Njëra urë do të shërbejë për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve, ndërsa tjetra vetëm për këmbësorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos