Në një pjesë të sipërfaqeve (seperimeve) tek Termocentralit “Kosova A” janë përfshirë nga flakët disa barishta, si pasojë e temperaturave të larta që kanë kapluar vendin ditëve të fundit.
Zjarri, sipas informacioneve të konfirmuara nga zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Skënder Bucolli, është duke u lokalizuar nga ekipet e zjarrfikësve të KEK-ut, të cilët ndodhen në vendin e ngjarjes dhe janë duke vepruar për të menaxhuar situatën.
Ekipi i KosovaPress ka tentuar të qëndrojë në vendin e ngjarjes, por që nuk është lejuar të marrë pamje apo të intervistojë ndonjë zyrtarë nga afërsia e zonës.
Megjithatë, nga pamjet e siguruara nga distanca, shihet prania e njësive të zjarrfikësve që po ndërhyjnë në terren, ashtu siç është konfirmuar edhe nga KEK-u për KosovaPress.
“Në një pjesë të sipërfaqeve/seperimet tek Termocentralit “Kosova A” (TCA), si pasojë e temperaturave të larta janë djegur disa barishta – një dukuri kjo e zakonshme që ndodh edhe në vende të tjera në kushte të ngjashme klimatike. Zjarri është duke u lokalizuar dhe situata është nën kontroll. Ekipet e zjarrfikësve të KEK-ut ndodhen në vendngjarje dhe po veprojnë me efikasitet për të siguruar menaxhimin dhe eliminimin e plotë të zjarrit. Pra, nuk ka vend për shqetësim”, tha Bucolli përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë për më shumë se një muaj në vendin tonë dhe mungesës së reshjeve, disa komuna të vendit tonë janë duke u përballur me zjarre. (A2 Televizion)