“Qytetarët serbë në Mitrovicën e Veriut edhe gjatë së martës në ditën e dytë të peticionit janë nënshkruar kundër ndërtimit të dy urave të reja në Mitrovicë. Pavarësisht insistimit të televizionit, qytetarët serbë nuk na thanë se pse janë kundër ndërtimit të këtyre dy urave. Ndërsa nga Lista Serbe nuk thanë se sa është numri i nënshkrimeve të mbledhura gjatë ditës së martë”.
Nga shoqëria civile serbe në veri thonë se komuniteti i tyre nuk ka qenë i përfshirë në hartimin e këtij projekti.
“Nga këndvështrimi lokal, ende ka shumë shqetësime nga komuniteti serb i Kosovës, shumicë në pjesën veriore të vendit, dhe që në thelb kanë qëndruar tërësisht të heshtur ndaj këtij procesi. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që procesi i konsultimeve në fakt nuk është organizuar fare. Nuk ka pasur asnjë vendim të marrë nga autoritetet komunale, të cilat, siç mund të kujtoni, nuk gëzojnë legjitimitet. Gjithashtu, një pjesë e tërë e komunitetit është e shkëputur plotësisht nga ky proces, jo vetëm serbët, por edhe komunitetet e tjera që jetojnë në rajonin e Mitrovicës së Veriut”, thotë Miodrag Miliceviç nga Shoqëria Civile.
Qytetarët shqiptarë në cepin jugor të urës së Ibrit janë pro ndërtimit të dy urave të reja dhe thonë se serbët që po e kundërshtojnë nuk kanë ndonjë arsye.
“Kanë urdhër prej diku tjetër se vendasit këtu se i pjesës veriore, aty jam rrit, dhe vendasit që janë këtu s’besoj që janë kundër dhe s’kanë me qenë kundër kurrë”, thotë një qytetar.
“Nuk i kuptoj, me të vërtetë nuk i kuptoj, qëllimi apo tendenca ka pasur edhe më përpara, edhe pa 0qenë lufta, është fol gjithmonë që ka nevojë, Albini po e realizon, nuk i kuptoj këta zëra hiç e sidomos neve shqiptarëve”, thotë një tjetër.
Miliceviç e lidh ndërtimin e urave edhe me aktualitetin politik në Kosovë, sidomos me zgjedhjet e reja lokale në vjeshtë.
“Aktualisht, asgjë nuk e justifikon mjaftueshëm vendimin për ndërtimin e dy urave të reja, pikërisht pranë asaj kryesores, e cila, përndryshe, është plotësisht e hapur për këmbësorë. Të dy anët pra, banorët e jugut, si dhe komunitetet tjera që jetojnë në veri, po e shfrytëzojnë atë çdo ditë, rregullisht dhe pa ndonjë vështirësi të madhe”, thotë një tjetër.
Ka qytetarë të cilët kërkojnë fillimsht hapjen e urës kryesore në Mitrovicë për qarkullimin e veturave.
“Kjo se u kon gjithmonë jom rrit e jom lind qitu me këtë urë dhe me këtë urë duhet të jetojmë, dy ura s’prishin punë, por këto që i kemi pas më mirë ka qenë, për mendimin tim”, thotë një qytetar tjetër.
Dy urat e reja do të ndërtohen në secilin krah të urës kryesore e cila vijon të jetë e hapur pjesërisht dhe ruhet nga karabinierët italianë. (A2 Televizion)