Alarmi për “Telekom Srbija”, ekspertët: Krahu i Serbisë në luftën hibride kundër Kosovës

Nga Erjon Dervishi
10 Korrik 2025, 20:22 | Aktualitet

Telekomi serb në Kosovë po përdoret për qëllime të luftës hibride. Ky është alarmi që ka ngritur Instituti Octopus në Prishtinë, shkruan A2.

Me anë të një reagimi në rrjetet sociale nga ana e këtij instituti, i cili në plan të parë ka studimin dhe analizën për luftën hibride, thekson se Telekom Serbia ka fshirë provat për vrasjen e Oliver Ivanoviçit, ka fshirë dhe kamufluar të dhëna për sulmin terrorist në Banjskë, ka ndihmuar në fshehjen e gjurmëve për incidentin në Iber Lepenc dhe shumë raste tjera.

“MTS nuk është thjesht kompani, është instrument i inteligjencës serbe. Kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës në 2025 u dërgua nga një numër i rrjetit MTS. Rastësi? Jo. Është prova që Serbia përdor Telekomin si mjet të luftës hibride dhe terrorit psikologjik”, thuhet në reagim. 

Po ashtu, në analizën e tij, Instituti Octopus thekson se Telekom Srbija ka ndjekur një strategji agresive të zgjerimit në rajon. Në Mal të Zi zotëron mbi 51% të aksioneve të M:Tel. Në Bosnjë ka mbi 65% të Telekom Srpske. Në Kosovë ka krijuar monopol kabllor në zonat me shumicë serbe dhe ka tentuar të blejë IPKO-n me 155 milionë euro. Në Shqipëri, tentoi të blejë Telekom Albania, autoritetet shqiptare e ndaluan për arsye sigurie kombëtare.

“Arsyeja se pse Prishtina është vendi që po synohet më shumë nga përpjekjet për destabilizim, bëhet për faktin se Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka rënë nën ndikimin e projektit ruso-serb. Prandaj sulmohet. Prandaj manipulohet. Prandaj rrezikohet”, lexohet në postim.

Reagimi i Institutit Octopus vjen në vazhdën e reagimeve të autoriteteve të Kosovës për rrezikun e një angazhimi ushtarak serb në Kosovë. Një rrezik të cilit i ka mëshuar disa herë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Turmp.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos