Autoritetet e Kosovës kanë thënë të mërkurën se janë duke bërë përpjekje për ta liruar nga paraburgimi në Serbi ish-pjesëtarin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, të cilin gjykata serbe e akuzon për gjoja “vrasje të rëndë” në Banjskë të Zveçanit.
Spahiu u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.
Gjykata e Lartë në Suboticë urdhëroi një muaj paraburgim për Spahiun gjoja për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
Në një reagim në Facebook, kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tha se “prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë”.
“Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”, tha Kurti.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia duhet të ndalë fushatën "e arrestimeve politike" kundër shtetasve të Kosovës, duke kërkuar që të mbahet përgjegjëse për veprimet, që Osmani i cilësoi si arbitrare.
"Gjatë ditëve të fundit, përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, kemi kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të QUINT-it dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen", shkroi Osmani në Facebook.
Sipas presidentes së Kosovës, ndalimet e shtetasve të Kosovës nga Serbia jo vetëm që po pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe "rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve".
Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) tha është duke i ndjekur me “vëmendje të shtuar” zhvillimet rreth arrestimit Spahiut dhe se i ka njoftuar vendet e QUINT-it për këtë.
MPJD tha në një njoftim në Facebook - duke iu referuar deklaratave të familjes dhe avokatit të Spahihut - se akuzat ndaj tij kanë të bëjnë me rastin e Banjskës.
"Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij", tha Ministria.
Ajo theksoi shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, së bashku me avokatin e angazhuar nga familjarët e Spahiut, Arianit Koci, do të udhëtojnë më 11 qershor në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare.
“Përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek z. Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë”, thuhet në njoftim.
Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse, tha Ministria.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani”, tha ajo.
Kosova do të vazhdojë t'i shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Kosovës të marrë fund, dhe që Spahiu të lirohet sa më parë, tha ajo.
MPJD, përmes një reagimi tjetër, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të shmangin kalimin përmes Serbisë, për shkak të "intensifikimit të rasteve të ndalimit dhe arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës".
Serbia e akuzon Spahiun se ka kryer këtë vepër penale në Banjskë - pjesa veriore e Kosovës - ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Por, Policia e Kosovës ka konfirmuar se Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë.
“A.S. ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”, thuhet në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë.
Me ligjin në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burg ose me burgim të përjetshëm.
Edhe avokati Koci ka thënë se klienti i tij nuk është pjesë e Policisë së Kosovës tash e tre vjet dhe se ai jeton në Gjermani.
Ai ka thënë se ka paraqitur disa prova që, sipas tij, do ta dëshmojnë pafajësinë e Spahiut.
Në vazhdën e arrestimeve të kohëpaskohshme të shtetasve të Kosovës, autoritetet bëjnë vazhdimisht thirrje që të shmanget udhëtimi përmes Serbisë.
Për sulmin në Banjskë - ku, sipas autoriteteve serbe, dyshohet edhe përfshirja e Spahiut - Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.
Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.
Këtë javë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në rastin Banjska.
Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd. REL
(A2 Televizion)