Clark përfundon dëshminë: Akuza për shitje organesh ishte dezinformim

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2025, 18:00 | Aktualitet

Clark përfundon dëshminë: Akuza për shitje organesh ishte

Akuzat karshi ish-presidentit, Hashim Thaçi nuk janë të qenësishme, kështu potencoi ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Clark tha se në vitin 2020 nuk e dinte saktësisht për çka po akuzohej Thaçi, dhe se në mendjen e tij ishte akuza për shitje organesh, akuzë të cilën e konsideron thjesht dezinformim.

Në pyetjen e prokurorit, Matt Halling nëse Clark e dinte që UÇK kishte emëruar ndonjë komandant të saj, dëshmitari mohoi atë.

Duke cituar deklaratën e  Clark “se ai nuk beson që do ishte e drejtë që t’i atribuohet sjellja e të tjerëve Hashim Thaçit”, këtë e konfirmoi edhe vetë dëshmitari.

Sipas gjeneralit amerikan, Thaçi ishte person ambicioz e i artikuluar, por nuk kishte kontroll mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në insistimin e prokurorit të ZPS-së nëse akuzat me të cilat ngarkohet Hashim Thaçi a janë të qenësishme apo jo, gjenerali amerikan potencoi se akuzat nuk janë të qenësishme.

Gjatë marrjes në pyetje nga ZPS-së, prokurori, Matt Halling paraqiti një pjesë të librit të gjeneralit Mike Jackson nga një takim me Hashim Thaçin dhe komandantët e zonave përpara se të përfundonte demilitarizimi i UÇK-së. Ai madje e lexoi edhe nj pjesë të këtij libri ku thuhej se Hashim Thaçi kishte thënë i inatosur “askush nuk luan lojëra me UÇK-në“.

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark ishte dëshmitari i shtatë dhe i fundit i mbrojtjes së Hashim Thaçit.

Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka filluar më 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Më pas ka dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje.

Më 22 shtator dëshmoi edhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i gjeneralit Clark në NATO, i cili e përmbylli dëshminë një ditë më vonë. Ndërkaq, më 30 shtator ka filluar dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë Bernard Kouchner, i cili ka mbyllur paraqitjen më 2 tetor.

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se 14 nëntori shënon përfundimin e fazës së mbrojtjes.

Parashtresat përfundimtare, si dhe deklarimet për ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat, pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.

Në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe e fundit ka qenë në Strasburg.

Ndërsa, më 5 nëntor janë bërë 5 vite prej kur katërshja e UÇK-së ndodhen në paraburgim. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm. Kosovapress. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos