“Dënojmë sulmet në Gaza”, Kurti: Serbia incizoi ilegalisht takimet e dialogut në Bruksel

Nga Ideal Gola
1 Gusht 2025, 20:34 | Aktualitet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se Serbia po vijon përpjekjet për destabilizim të Kosovës. Ai tha se institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, janë duke u kundërvënë suksesshëm ndaj këtyre përpjekjeve.  Ai u ndal të arrestimi i toger të Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiç, i dyshuar për spiunazh, si dhe atë të Igor Popoviç, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyra për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë për nxitje të përçarjes dhe mos durimit ndëretnik. Për zyrtarin e Qeverisë serbe, Kurti tha se tashmë ka dëshmi që incizuar takimet në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Në lidhje me këtë të fundit, [Igor Popoviç] institucionet tona, kanë siguruar dëshmi për lidhjet e tij me Agjencinë për Siguri dhe Informim (BIA) dhe ushtrimin e aktiviteteve në dobi të saj. Ndër to përfshihen: Incizimin ilegal të bisedave të datës 17 shtator 2020 që janë zhvilluar në Bruksel, në objektin e Bashkimit Evropian, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi; pastaj përpjekje për pengim dhe sabotim të drejtësisë; dhe aktivitete të tjera që cenojnë sigurinë kombëtare të vendit”, tha Kurti.

Regjistrimi i takimeve në Bruksel, Kurti tha se shpërfaq një tjetër formë destruktive të Serbisë që nuk e kishin hasur më parë, shkruan A2 CNN.

“Rasti i fundit ku dëshmohet audioincizimi ilegal dhe i fshehtë i bisedave në Bruksel, është rast jashtëzakonisht serioz që shpërfaqë në një formë që nuk e kemi hasur më herët të qasjes sistematike, destruktive, minuese dhe sabotuese të Serbisë, në raport me palët, ndërmjetësuesin dhe vet procesin e ndërmjetësuar nga Brukseli”, u shpreh Kurti.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Kurti për herë të parë u deklarua edhe rreth situatës në Gaza. Ai shprehu shqetësimin për ngjarjet dhe uroi në arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë dhe të qëndrueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve.

“Ne i dënojmë sulmet që rezultojnë me vdekje dhe lëndim të civilëve, veçanërisht të fëmijëve të cilët po përballen me pasoja të rënda pavarësisht faktit që nuk kanë asnjë përgjegjësi mbi konfliktin dhe situatën. Qeveria jonë tashmë ka ndarë gjysmë milionë euro nga buxheti i saj si mbështetje për popullin palestinez në Gaza. Ne e mbështesim çdo përpjekje të partnerëve tanë për të arritur një armëpushim të menjëhershëm”, tha Albin Kurti.

Në mbledhjen e Qeverisë në detyrë u morën disa vendime për emërime dhe pezullime të pozitave në disa prej agjencive varëse të ekzekutivit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos