Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë, po vihen në sprovë të vështirë kohët e fundit. Moska nuk po e përtyp dot, atë qe u pa si hapje të Beogradit ndaj mundësisë për t’iu bashkuar sanksioneve të perëndimit kundër Rusisë.
“Udhëheqja serbe duhet të mbajë përgjegjësi për fatin e popullit të saj dhe të respektojë pikëpamjet e qytetarëve të vet” tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke iu referuar deklaratës së Ministrit për Integrimin Evropian, Nemanja Starović. Sipas saj, në intervistën e publikuar më 25 korrik, del në pah teza e gatishmërisë së Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve.
“Ajo intervistë ishte kryesisht një tronditje për vetë serbët. Nëse ata votojnë për tezat që kanë të bëjnë me marrëdhënie respekti dhe bashkëpunim të dobishëm reciprok me Rusinë, ruajtjen e unitetit, kulturës, zhvillimin e marrdhënieve në sfera të ndryshme dhe mosvendosjen e sanksioneve - atëherë udhëheqja serbe duhet ta respektojë atë qëndrim të popullit serb. Dhe sigurisht të mos i mashtrojë qytetarët e vet", përfundoi zyrtarja rus.
Agjencia austriake e lajmeve APA raportoi deklaratën e Staroviçit në të cilën ai deklaroi, se Serbia është e gatshme për kompromise shumë të mëdha në lidhje me Kosovën, dhe se do të marrë pjesë plotësisht në sanksionet kundër Rusisë "kur anëtarësimi në Bashkimin Evropian të jetë në horizont". (A2 Televizion)