Banesa, vetura, shtëpi, tokë, garazha e para të gatshme.
Shumë nga kryetarët e 38 komunave të Kosovës kanë deklaruar se, aktualisht, kanë më shumë pasuri të tillë sesa që kanë pasur katër vjet më parë, kur kanë filluar mandatin e tyre udhëheqës.
Meqë si persona publikë, kryetarët e komunave detyrohen ta deklarojnë pasurinë çdo vit, Radio Evropa e Lirë krahasoi pasurinë e tyre në fillim dhe tani, në fund të mandatit aktual.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, më së shumti del të jetë pasuruar Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës.
Gjini e ka arsyetuar këtë pasurim duke thënë se ka shitur një dyqan në Prishtinë dhe një banesë në Gjakovë.
Prej këtyre shitjeve ka thënë se ka fituar rreth 450 mijë euro.
Për kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj, dokumenti i publikuar për pasurinë e tij në fillim të mandatit qeverisës, nuk është i lexueshëm.
Për këtë arsye, ishte e pamundur që të krahasohej pasuria e tij. Shifra prej rreth 17 mijë eurosh pasqyron vetëm pasurinë e tij aktuale.
Disa, si Erden Atiq i Mitrovicës së Veriut dhe Ilir Peci i Zveçanit, kanë deklaruar se nuk kanë asnjë cent para të gatshme në institucione financiare, si banka.
Në këto të dhëna për zotërimin e parave të gatshme hyn edhe pasuria që e zotërojnë bashkëshortët, fëmijët dhe prindërit e deklaruesit - kushdo që është pjesë e bashkësisë familjare.
Kjo bëhet me qëllim që të vështirësohet fshehja e pasurisë.
Si verifikohet deklarimi i pasurisë?
Disa prej kryetarëve të komunave kanë deklaruar se bashkëshortët dhe fëmijët e tyre kanë më shumë para se ta.
Sipas të dhënave, edhe shumë prej blerjeve të bëra nga kryetarët që janë pasuruar gjatë këtyre viteve, janë deklaruar se janë bërë nga familjarët e tyre.
Gjithashtu, shumë prej kryetarëve të komunave që kanë deklaruar se kanë më pak para sesa që kanë pasur në fillim të mandatit aktual, kanë blerë prona të shumta gjatë kësaj periudhe.
Publikimi i pasurisë së zyrtarëve publikë bëhet për të parandaluar korrupsionin dhe fshehjen e pasurisë së fituar jashtëligjshëm, duke shfrytëzuar pushtetin.
Pagat e kryetarëve të komunave ndryshojnë sipas madhësisë së komunës që udhëheqin.
Më së shumti paguhen kryetari i kryeqytetit dhe pastaj janë edhe shtatë nivele, të ndara nga komunat me më pak se dhjetë mijë qytetarë deri tek ato me mbi 100 mijë.
Pagat bruto të kryetarëve të komunave, aktualisht, variojnë nga 1.408 deri në 1.760 euro, pas vendimit të vitit të kaluar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për rritjen e pagave në sektorin publik.
Për të mësuar për pasurinë e Kurtit, anëtarëve të tjerë të kabinetit të tij qeveritar dhe zyrtarëve të tjerë publikë më të rëndësishëm në Kosovë, klikoni këtu./ REL (A2 Televizion)